Aerodromi i Gjirokastrës pret uljen e avionëve të parë turistikë

28/10/2024 12:46

Aerodromi i Gjirokastrës ka pritur përgjatë ditëve të fundit uljen e avionëve të parë turistikë që pas marrjes së statusit dy vjet më parë.

Ngjarja është përcjellë me interes edhe për shkak se kushtet teknike për uljen e avionëve të vegjël testoheshin për herë të parë. Avionët vinin nga Italia dhe ngjarja shënoi edhe fluturimin e parë direkt me një vend të rajonit. Sipas konsullit të nderit të Italisë në Gjirokastër Teodor Bilushi momenti është historik për Gjirokastrën dhe të ardhmen e turizmit të ajrit.

“Ky është një moment historik për Gjirokastrën sepse çelet një dritare e re për shkëmbimet turistike, ekonomike, kulturore. Pra realizimi i një fluturimi direkt nga një vend rajonal, realizimi i shërbimit doganor dhe policor do të bëjë të mundur uljen e shumë avionëve të tjerë turistikë pasi kërkesat janë të shumta. Kështu i shtojmë ekonomisë së qytetit edhe një degë të re të turizmit që është aviaturizmi. Pra pas certifikimit të aerodromit të Gjirokastrës para dy vjetësh nga Autoriteti i Aviacionit Civil është momenti që të përmirësohet infrastruktura dhe shërbimet pranë këtij aeroporti”, tha Teodor Bilushi.

Piloti italian që realizoi uljen e parë në këtë aerodrom tha se ndihej i nderur që ju dha kjo mundësi.

“Pamja nga ajri ishte vërtetë mahnitëse. Jemi ulur këtu në Gjirokastër dhe na thanë që jemi të parët pas më shumë se 80 apo 90 vjetësh që ulemi në pistë dhe jemi shumë krenarë për këtë. Pista ishte perfekte, gjatësia ishte e duhura dhe po ashtu pamja ishte e qartë zbritja shumë e bukur dhe mezi presim të rikthehemi”, tha Alesandro Romanaci Carduci, pilot.

” Sot kjo ngjarje me suportin e Autoritetit Ajror Shqiptar hapi qiejt për turizmin e aviacionit në Shqipëri. Pra duke mirëseardhur uljen e parë të një avioni kam kënaqësinë të them se ajo u realizua nga Alesandro Romanaci Carduci. Do të mirëpresim më pas disa avionë të tjerë nga Italia ndërsa tani qielli është i hapur edhe për avionë të tjerë nga e gjithë bota. Që nga sot në këtë aeroport do të vendosen edhe autoritetet e doganës dhe policisë për uljen dhe ngritjen e avionëve”, tha Miltiadis Kotzageridis, përfaqësueses i autoritetit te aviacionit civil.

Aerodromi i Gjirokastrës e ka nisur funksionin e tij gati 100 vjet më parë në vitin 1924 por në vitet ’30-’40 ai u shndërrua në një aeroport të vogël me funksion të dyfishtë ushtarak dhe civil.

Rreth 30 aeroplanë civilë dhe bombardues, u vendosën në këtë aeroport gjatë viteve të luftës. Linjat kryesore të asaj periudhe me stacion kryesor aeroportin e Gjirokastrës ishin ato Tiranë- Vlorë- Gjirokastër dhe Tiranë- Korçë- Gjirokastër. Njëkohësisht me Italinë funksiononte linja direkte Gjirokastër- Brindisi.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA