Nga Alda Bardhyli

– “Perlat janë lot,” përshkruante Doris Lessing, laureate e Nobelit për letërsi, duke e parë shkëlqimin e tyre si pikëza hidhërimi që zbukurojnë qafën e hollë të një gruaje. Poeti Rumi do të thoshte se ndriçimi i tyre mban gjithë lotët e derdhur nga njerëzimi. Kamala Harris e ndjeu këtë magji të heshtur të perlave qysh adoleshente, kur i dhuruan të parën palë – një dhuratë që do ta shoqëronte përherë. Ashtu si Dorothy Parker, ajo vendosi të mos dalë nga shtëpia pa to. Ishte një traditë e fshehtë, një shkëlqim që shoqëronte çdo hap të saj, duke i falur një fuqi të heshtur, magjepsëse, një lidhje të pashkëputur mes një breznie grash.

Autobiografia e Kamala Harris, Të vërtetat që mbartim, tani e botuar në shqip, vjen me një parathënie nga Linda Rama – një zë me kontribute në çështjet e të drejtave civile. Parathënia e Ramës është më shumë se një hyrje; ajo është një ftesë për lexuesin shqiptar për të ndjerë lidhjen e ngushtë mes përvojës së Harris dhe realitetit të shoqërive që kërkojnë drejtësi dhe barazi. Me përkushtimin e një gruaje që i ka mbështetur këto vlera në Shqipëri, Rama sjell një thellësi të re për lexuesit, duke hapur një dritare mbi rëndësinë e një zëri si ai i Harris – në një botë ku të drejtat civile dhe liritë themelore kanë ende nevojë për mbrojtje të fuqishme.

Ndërsa zgjedhjet në Amerikë afrohen, pyetja e madhe që shtrohet ndër lexues është: A mundet vendi që udhëhoqi valën e parë të feminizmit në shekullin e 20-të, duke ndryshuar rrënjësisht kulturën perëndimore dhe moralin shoqëror, të zgjedhë sot një grua si prijëse të Shtëpisë së Bardhë? Kamala Harris mbart në vetvete thelbin e këtyre valëve feministe në një botë ndryshimesh, ku idealet postmoderne përplasen me kërkesat për barazi e drejtësi.

Ky libër, përtej një rrugëtimi personal, shpaloset si një manifest politik, një kritikë ndaj postmodernizmit dhe një leksion për botën e sotme. Si prokurore, Harris ka besuar fuqimisht në barazinë dhe drejtësinë për të gjithë, duke theksuar se këto ideale mund të bëhen realitet vetëm nëpërmjet mbrojtjes së palëkundur të të drejtave civile. Ajo sfidon shtypjen sistematike që rëndon mbi grupet e margjinalizuara, duke kërkuar angazhimin e njerëzve për të çmontuar këto struktura dhe për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë.

Harris bën thirrje për një reformë të drejtësisë penale, duke synuar të ulë burgosjet masive që godasin më rëndë komunitetet me ngjyrë. Ajo kërkon një drejtësi më humane, që kapërcen pabarazinë dhe drejton shoqërinë drejt përparimit. Për të, marrëdhënia me të vërtetën është thelbësore: përballja me realitete të ashpra si racizmi, seksizmi dhe pabarazia është kusht për ndryshim të vërtetë.

Në politikat e saj për emigracionin, Harris sjell një ndjeshmëri që pasqyron vlerat e thella të Amerikës. Ajo thekson se emigrantët luajnë një rol kyç në suksesin e vendit dhe meritojnë dinjitetin e respektin që u takon. Duke u fokusuar te rritja e pabarazisë ekonomike, Harris nënvizon sesi klasa e mesme ndodhet nën presion të vazhdueshëm nga kostot e jetesës që rriten ndërsa pagat mbeten të njëjta, duke kërkuar një sistem që zvogëlon hendekun mes të pasurve dhe të varfërve.

Ajo mbron reformën për shëndetësinë universale, si një e drejtë themelore njerëzore, duke theksuar se kujdesi shëndetësor duhet të jetë i arritshëm për të gjithë, jo një privilegj i disa individëve. Për Harris, ndryshimet klimatike dhe padrejtësitë mjedisore godasin më rëndë komunitetet më të varfra, ndaj ajo beson se mbrojtja e mjedisit është një hap thelbësor për të arritur drejtësinë shoqërore.

Nga rrugëtimi i saj në shërbimin publik, Harris nxjerr një mesazh të qartë: ndryshimi fillon kur zgjedhim t’i shërbejmë njëri-tjetrit. Me këtë besim në zemër, ajo u bën thirrje amerikanëve të lënë mënjanë ndasitë dhe të ndërtojnë një komb të fortë, ku secili përpiqet për të mirën e përbashkët dhe ku bashkëpunimi bëhet çelësi për një të ardhme më të drejtë dhe shpresëdhënëse për këdo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA