“Nuk jemi kazani i Shqipërisë”/ Protestë kundër mbetjeve toksike në portin e Durrësit

27/10/2024 13:17

Në hyrje të portit detar të Durrësit, anëtarë të Partisë Demokratike dhe qytetarë të shqetësuar u mblodhën, këtë të diel, për të protestuar kundër kthimit të 2,100 ton mbetjeve të rrezikshme në Shqipëri.

Protesta nxori në pah rrezikun që këto mbetje mund të paraqesin për shëndetin publik, duke vënë në pikëpyetje transparencën dhe masat e ndërmarra nga autoritetet për trajtimin e tyre.

Sazan Guri: “Nuk të lejohet të ulesh në kafe në këtë ditë të veçantë, duhet t’i rezistosh këtyre mbeturinave që nuk u pranuan në vende të tjera dhe të vish sot këtu sikur të ishim një kosh plehrash. Fakti që këto mbetje kanë bërë një kalim transporti dhe janë bërë bubullima dhe janë klasifikuar si mbetje të papranueshme që dyshoj se kemi të bëjmë me mbetje shumë të rrezikshme.”

Jola Hysaj: “Tek po vija këtu dikush më pyeti. Pse po mban maskë? Nuk mund të mos mbaj maskë është më shumë sesa normale. Po pse është normale ku në një qytet ajri i pastër i detit duhet të prevalojë. Sepse thashë ne drejtohemi nga një qeveri toksike, një qeveri mbetje. Me mbetje e nisi dhe me mbetje do ta përfundojë mandatin. Është e paimagjinueshme sesi shkërmoqet ky qytet, sesi falet dhe i dhurohet njerëzve. Ku janë durrsakët që krenohen për historinë 2700-vjeçare, ata që thonë jemi durrsakë. Ajo maskë që mbaj unë sot do të jetë maska që do të mbajë secili prej jush kur këto mbetje të vijnë nesër. A jemi në kazani i Shqipërisë, ndërkohë që Durrësi dhe porti është simbol jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë rajonin. Nuk jemi ne kazani i Shqipërisë, nuk janë as mediat, por jeni ju kazani dhe jeni ju mbetja toksike më e keqe e cila po prevalon në Shqipëri dita ditës.”

Oerd Bylykbashi: “Jemi mësuar të dëgjojmë skandale njëra pas tjetrës por ky është një nga ato që shqetëson çdo prind për shëndetin e fëmijëve për tani dhe për të ardhmen. Qyteti i Durrësit mban vendin e parë për sëmundjet që vijnë nga ndotja e ambientit. Çfarë do të indohet nëse Rrjeti i Bazelit nuk do të denonconte këtë skandal dhe vepër penale. Nëse nuk do të kishin reaguar organet e shteteve tjera nuk do të merrnin vesh asgjë, ata do të vinin dhe të groposeshin pa asnjë dijeni për qytetarët. Ky është model kriminal qeverisëse, është detyra jonë qytetare të reagojmë fort për të gjithë ata që kanë lidhje me këtë skandal.”

Protestuesit kërkojnë më shumë llogaridhënie nga qeveria dhe mbrojtje të shëndetit të qytetarëve, ndërkohë që ndotja e mundshme e ajrit, ujit dhe ushqimit konsiderohet si një kërcënim për popullatën dhe brezat e ardhshëm.

Kjo protestë vjen pas zhvillimeve të fundit lidhur me 102 kontejnerët me mbetje toksike që po kthehen në portin e Durrësit, pasi nuk u pranuan në Tajlandë, ku kishin destinacionin fillestar. Mbetjet janë produkt i proceseve të furrave të çelikut të kompanisë KURUM dhe përmbajnë përbërës të rrezikshëm që mund të ndikojnë seriozisht në shëndetin e njerëzve dhe mjedis.

Refuzimi i kontejnerëve nga autoritetet tajlandeze erdhi pas reagimit të fortë të organizatës amerikane “Rrjeti i Aksionit të Bazelit”, e cila ngriti alarmin për rreziqet që paraqisnin këto mbetje. Pas këtij reagimi, autoritetet shqiptare dhe Prokuroria e Durrësit nisën hetimet për të zbuluar më shumë mbi origjinën dhe trajtimin e këtyre mbetjeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA