Procedohet penalisht një 25-vjeçarje pasi dyshohet se shfrytëzonte fëmijën e saj të mitur për të lypur.
Sipas njoftimit të policisë, e reja shfrytëzonte fëmijën e saj të mitur, 1 vjeç e gjysmë, për të lypur në Rrugën e Elbasanit.
“Shfrytëzonte fëmijën e saj të mitur për të lypur, procedohet penalisht 25-vjeçarja.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për parandalimin e rasteve të fëmijëve në situatë rruge, të cilët shfrytëzohen për të lypur, kanë vijuar kontrollet në zona të ndryshme të Tiranës dhe kanë evidentuar një rast të kësaj paligjshmërie.
Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shtetasen M. D., 25 vjeçe, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit”, parashikuar nga neni 124/b i Kodit Penal.
Kjo shtetase është konstatuar në Rrugën e Elbasanit, së bashku me fëmijën e saj të mitur 1 vjeç e gjysmë, të cilin e kishte nxjerrë për të lypur.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë fton qytetarët që nëse do të konstatojnë raste të fëmijëve në situatë rruge, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112 dhe apelon për të gjithë prindërit dhe kujdestarët e fëmijëve që të mos i shfrytëzojnë ata për këtë aktivitet, pasi do të përballen me ligjin.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Top Channel