Politikat shtypëse të talibanëve dhe interpretimi ekstrem i Islamit e kanë kthyer Afganisanin në një shtet aspak atraktiv.
Më 2021, Afganistani është bërë vendi i vetëm në botë që ua ka ndaluar shkollimin vajzave adoleshente. Tani, ky shtet është bërë i pari që e ndalon përshkrimin e gjithçkaje të gjallë, përfshirë njerëzit dhe kafshët.
“Ky vendim është absurd dhe i pabesueshëm”, ka thënë Sami Yousafzai, gazetar veteran i Afganistanit dhe vëzhgues i vendimeve të talibanëve.
Sipas Islamit, idealizmi i diçkaje është mëkat, ashtu sikurse adhurimi i dikujt. Sipas këtij interpretimi radikal, talibanët kanë këputur kokat e manikinëve, e kanë ndaluar shitjen e kukullave dhe i kanë mbuluar apo rrëzuar statujat.
Tani talibanët e kanë zgjeruar këtë ndalesë dhe ndalojnë edhe “prodhimin dhe shikimin e videove dhe fotografive të gjërave të gjalla në kompjuterë dhe telefona mobilë”.
“Në zemër të vendimit është dëshira për të rikrijuar emiratet [e talibanëve] sikurse në vitet ‘90”, ka thënë Obaidullah Baheer, hulumtues në Qendrën për Azinë Jugore në Shkollën e Londrës për Ekonomi.
Përgjatë regjimit brutal në periudhën 1996-2001, talibanët e kanë ndaluar vizatimin e gjallesave, përfshirë shfaqjen e tyre në televizion apo nëpër fotografi, pasi gjithçka konsiderohej joislamike.
Madje, grupi islamik pati shkatërruar publikisht televizionet dhe kasetat televizive.
Talibanët kanë shkatërruar edhe mijëra artefakte historike, shumica prej tyre statuja të Budës, të cilat janë konsideruar në kundërshtimin me Islamin.
Regjimi i talibanëve e pati tmerruar botën më 2021, kur pati përdorur artileri, mina anti-tanike, dinamit dhe lëndë tjera shpërthyese për të shkatërruar dy statuja gjigante të Budës, që datojnë prej shekullit të gjashtë.
Pas rrëzimit të talibanëve nga pushteti më 2001, në kuadër të pushtimit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan, grupi ka përdorur fotografi dhe imazhe të ndryshme për të kryer propagandë.
Ata madje e kanë pasur edhe një faqe në internet dhe prezencë në rrjetet sociale.
Prej rikthimit në pushtet, më 2021, talibanët udhëheqin televizionin shtetëror dhe ua kanë vazhduar lejen për operim disa stacioneve televizive, me kufizime të theksuara.
Zyrtarë të lartë talibanë kanë llogari në rrjetet sociale, publikojnë video dhe fotografi të takimeve të tyre.
Baheer ka thënë se ndalesa e talibanëve për imazhe të gjallesave “duket rrugë shumë e koklavitur”, duke marrë parasysh se vetë talibanët përdorin shumë fotografi dhe imazhe televizive.
Shqetësimet për liri të shprehjes
Ndalesa e talibanëve në publikim të imazheve të gjallesave ka rritur shqetësimet për ndikimin që do të ketë vendimi në mediat afgane dhe lirinë e shprehjes.
Talibanët veçse kanë nisur fushatë brutale kundër disidentëve, përfshirë rrahjen, ndalimin dhe burgosjen e dhjetëra gazetarëve.
Ata kanë detyruar edhe mbylljen e mediave të pavarura dhe kanë ndaluar çdo raportim që kritikon Qeverinë e talibanëve, të cilën nuk e njeh askush në botë.
Ditëve të fundit, media e udhëhequr prej talibanëve ka ndaluar së shfaqur imazhe të gjallesave, për të vepruar në përputhje me vendimin.
Disa stacione televizive janë duke transmetuar vetëm me zë. Ministria e talianëve për Përhapje të Virtytit dhe Parandalim të Vesit, ka thënë më 14 tetor se do të zbatojë gradualisht këtë ndalesë.
Yousafzai ka thënë se ndalesa do të krijojë vështirësi të mëdha për mediat dhe qasjen e afganëve në informacion dhe organizime argëtuese.
“Do ta kthejë Afganistanin në burg të madh”, ka thënë ai. “Ne kemi menduar që kafshët në Afganistan kanë më shumë liri sesa gratë”, ka thënë Fariba, gazetare në Kabul, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë, duke iu referuar kufizimeve të ashpra të talibanëve në të drejtat e grave.
“Mirëpo, tani talibanët nuk kanë mëshirë as për kafshët”. Heshmat Wajdani, zëdhënës për Federatën e Gazetarëve Afganë në Ekzil, ka thënë se vendimi është shumë i dëmshëm për lirinë e shtypit.
“Kjo nënkupton se do të zhduken mediat dhe liria e shprehjes në Afganistan”, ka thënë ai.
Top Channel