EMRI/ Atentati mafioz me dy të plagosur në “Don Bosko”, identifikohet dhe shpallet në kërkim njëri prej autorëve

25/10/2024 11:57

Denis Tahiri është njëri prej të dyshuarve të atentatit të ndodhur më 4 shtator të këtij viti, ku mbetën të plagosur dy persona.

Gjykata e Tiranës caktoi masën “Arrest në burg”, në mungesë ndaj  23- vjeçarit banues në Kamëz, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Të plagosur nga një makinë në lëvizje mbetën Kastriot Elezaj dhe Ronaldo Metushi.

Policia i orientoi hetimin në 2 pista hetimore. E para lidhet me të shkuarën kriminale të një prej të plagosurve, Kastriot Elezaj i dënuar në Itali për vjedhje ndërsa pista e dytë lidhet me mundësinë e përfshirjes së 2 të plagosurve në shpërndarje të lëndëve të narkotike.

45-vjeçari Kastriot Elezaj që dyshohet nga policia se ishte objektivi tha se doli si çdo ditë poshtë shtëpisë për të pirë kafe dhe se nuk i druhej një atentati dhe lëvizte lirshëm duke qenë se nuk kishte konflikte me askënd.

Edhe 22-vjeçari Ronaldo Metushi, i cili punonte dikur si kamarier ne lokalin ku ndodhi ngjarja tha se nuk kishte konflikte të hapura dhe se me 45-vjeçarin kishte vetëm lidhje shoqërore.

Pas atentatit, autorët u drejtuan me makinë në fshatin Çerek ku më pas i vunë flakët. Në makinën  e djegur u gjet pistoleta me silenciator e dyshuar e përdorur nga autorët.

Njoftimi i policisë:

 Në vijim të njoftimit për ngjarjen e datës 03.09.2024, në një lokal afër xhamisë në Don Bosko, ku u plagosën me armë zjarri shtetasit K. E. dhe R. M., ju informojmë si më poshtë:

Për hetimin e kësaj ngjarjeje kriminale, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka ngritur menjëherë një grup të posaçëm hetimor, i cili në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka kryer në vijimësi të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me iniciativë apo të urdhëruara nga prokurori.

Në vijim të kryerjes së veprimeve të thelluara hetimore, shfrytëzimit të inteligjencës policore, analizimit, vlerësimit të rrethanave dhe fakteve, dhe provave shkresore, grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka bërë të mundur dokumentimin ligjor të implikimit të njërit prej autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje.

Në vlerësim të provave dhe fakteve, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 2706, datë 22.10.2024, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë, ndaj shtetasit D. T., 23 vjeç, banues në Kamëz, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuara nga nenet 79, dh/ 22/ 25, dhe 278/1 të Kodit Penal. Vazhdojnë hetimet për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA