Bombardimet e Izraelit godasin median, vriten tre gazetarë në Liban: E qëllimshme!

25/10/2024 10:47

Një sulm izraelit në mëngjesin e së premtes vrau të paktën tre gazetarë dhe plagosi disa të tjerë teksa flinin në bujtina të përdorura nga media në Hasbaya në Libanin jugor.

Të vrarët ishin gazetari Mohamed Reda i gazetës pro-iraniane të lajmeve Al-Mayadeen, operatori i kamerës Ghassan Najjar dhe operatori i kamerës Wissam Qassem, të cilët punonin për Al-Manar të Hezbollahut, thanë mediat në deklarata të veçanta.

Sulmet e bënë atë ditën më vdekjeprurëse për mediat në një vit armiqësish midis ushtrisë izraelite dhe milicisë libaneze të Hezbollahut.

Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga Izraeli, i cili në përgjithësi mohon të ketë sulmuar me dashje gazetarët.

Pesë gazetarë ishin vrarë në sulmet e mëparshme izraelite në Liban gjatë konfliktit, duke përfshirë gazetarin vizual të Reuters, Issam Abdallah .

Hasbaya është një qytet i banuar nga myslimanë dhe të krishterë. Ka pasur sulme në periferi të saj në javët e fundit, por e premtja, rreth orës 3 të mëngjesit, ishte e para brenda qytetit.

“Ky është një krim lufte”, tha ministri libanez i Informacionit Ziad Makary. Të paktën 18 gazetarë nga gjashtë media, përfshirë Sky News, Al-Jazeera dhe transmetuesit libanezë, po qëndronin në bujtina.

“Ne dëgjuam aeroplanin duke fluturuar shumë poshtë, kjo është ajo që na zgjoi dhe më pas dëgjuam dy raketat”, tha për Reuters Muhammad Farhat, një reporter i gazetës libaneze Al-Jadeed.

Ai tha se disa bungalot ishin dëmtuar. Pamjet e tij shfaqnin makina të përmbysura dhe të dëmtuara, disa të shënuara me “Press”.

“Ne kishim raportuar prej aty për rreth një muaj pa ndodhur asgjë. Unë as nuk e di se si dola nga rrënojat”, tha Farhat.

Ghassan bin Jiddo, drejtori i Al-Mayadeen, tha në llogarinë X të kanalit se sulmi ishte i qëllimshëm.

“Ne e bëjmë pushtuesin (Izraelin) plotësisht përgjegjës për këtë krim lufte, në të cilin ekipet e gazetarëve duke përfshirë ekipin e Al-Mayadeen ishin në shënjestër”, tha bin Jiddo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA