Një magazinë me lëndë narkotike dhe armë është zbuluar në fshatin Voskop në Korçë ndërsa disa persona kanë përfunduar në pranga.
Sipas të dhënave të para lënda narkotike e llojit kanabis sativa dyshohet se nuk është prodhuar në zonë por është sjellë nga një vend tjetër për t’u magazinuar ndërsa brenda ambientit ku u gjet bëheshin edhe disa procese për ta përgatitur për shitje.
Policia tha se veç lëndës narkotike në magazinë u gjetën edhe armë zjarri ndërsa ende nuk dihet sasia e zbuluar. Burime bënë me dije se sasia është e konsiderueshme dhe është duke u peshuar ndërkohë që në pranga janë 6 persona deri tani mes tyre edhe gra.
Magazina ndodhej në anë të rrugës nacionale Korçë- Voskopojë në afërsi të fshatit Voskop dhe sipas informacioneve gratë që rezultojnë të jenë nga Cërriku, ishin të punësuara. Sakaq policia po vijon punën për zbardhjen e plotë të këtij rasti dhe është duke hetuar edhe nëse ka persona të tjerë të përfshirë.
Top Channel