Ushtria izraelite ka akuzuar gjashtë gazetarë të mediumit, Al Jazeera, të cilët e mbulojnë luftën në Gazë, se po ashtu janë apo kanë qenë luftëtarë të grupeve militante palestineze.

Al Jazeera ka hedhur poshtë këto akuza. Izraeli citoi dokumente që supozohet se gjeti në Gazë, dhe informacione të tjera që ka mbledhur, teksa i bëri këto akuza ndaj gazetarëve, që të gjithë burra palestinezë. Ushtria tha se katër na ta janë apo kanë qenë të lidhur me Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – dhe dy me Xhihadin Islamik Palestinez.

Al Jazeera tha se akuzat ishin “të fabrikuara” dhe “pjesë e një sjelljeje më të gjerë armiqësore” ndaj rrjetit pan-arab. Kjo media tha se akuzat ishin “një përpjekje flagrante për të heshtur gazetarët e pakët që kanë mbetur në rajon, dhe në këtë mënyrë duke errësuar realitetin e ashpër të luftës nga audienca në mbarë botën”.

Autenticiteti i dokumenteve të publikuara online më 23 tetor nga Izraeli nuk ka mundur të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Al Jazeera ka selinë në Katar, ku shumë zyrtarë të Hamasit po ashtu gjenden. Katari, që e financon Al Jazeeran, po ashtu është lojtar kyç në negociatat për arritjen e një armëpushimi në Gazë, së bashku me SHBA-në dhe Egjiptin.

Gazetarët Anas al-Sharif, Hossam Shabat, Ismael Abu Omar dhe Talal Arrouki u akuzuan se kanë lidhje me Hamasin. Ndërkaq, Ashraf Saraj dhe Alaa Salameh u akuzuan për lidhje me Xhihadin Islamik.

Sipas dokumenteve që ka cituar Izraeli, këta gazetarë kishin pasur role të ndryshme: snajperist, ushtar të këmbësorisë, kapiten, koordinator për trajnime dhe roli e përhapjes së “propagandës”.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve po ashtu publikoi një deklaratë kritike ndaj Izraelit, në të cilën thuhej se Izraeli “vazhdimisht ka bërë këso pretendimesh të padëshmuara, duke mos ofruar prova të besueshme”.

Në korrik, gjatë një sulmi ajror izraelit në Qytetin e Gazës, ishin vrarë dy gazetarë të Al Jazeeras, përfshirë Ismail Al Ghoul, për të cilin Izraeli “kishte prodhuar dokumente të ngjashme, që përfshinin të dhëna kontradiktore dhe thoshin se Al Ghoul, i lindur më 1977, kishte marrë gradë ushtarake në Hamas më 2007 – kur ai do të kishte qenë dhjetë vjeç”, tha Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Sipas rrjetit mediatik, katër gazetarë të Al Jazeeras janë vrarë gjatë sulmeve izraelite në Gazë në 12 muajt e fundit. Disa nga gazetarët e vrarë më pas janë akuzuar nga Izraeli se kishin qenë ose pjesëtarë të Hamasit ose të Xhihadit Islamik, akuza që janë hedhur poshtë nga media në Katar.

Në maj, një gjykatë izraelit urdhëroi mbylljen e operacioneve dhe transmetimit të Al Jazeeras brenda Izraelit dhe policia bastisi një dhomë hoteli në Jerusalemin Lindor, prej ku rrjeti kishte transmetuar drejtpërdrejtë.

Katër muaj më pas, Izraeli bastisi zyrat e Al Jazeeras në Ramallah të Bregut të pushtuar Perëndimor dhe më pas mbylli byronë e kësaj media në këtë vend.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023, pasi Hamasi dhe militantë të Xhihadit Islamik, sulmuan jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.

Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 42.000 palestinezë.

Po ashtu, që nga tetori i vitit të kaluar të paktën 128 gazetarë janë vrarë në Gazë, në Bregun e pushtuar Perëndimor, Izrael dhe Liban./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA