Një tjetër shqiptar është shpallur fajtor në Angli, por këtë herë për si trafikant vajzash për shfrytëzim seksual.
Sipas komunikatës për shtyp, të Policisë Metropolitane londineze, të cilës i referohet Top Channel, bëhet fjalë për 43-vjeçarin Roland Cankaj.
I arrestuar më 20 prill të këtij viti, ai doli para gjykatës ditën e sotme, ku u shpall fajtor për vepra të shumta pas një gjyqi gjashtë ditor.
Hetimi nisi mbi një rrjet të krimit të organizuar të quajtur “Cankaj Brotherhood” në vitin 2022, që drejtohej nga shqiptari, me qëllim trafikimin e grave braziliane në Mbretërinë e Bashkuar për t’u shfrytëzuar seksualisht.
Nga hetimet e detajuara u vu re se Cankaj merrte me qira apartamente me pasaportë false. Oficerët filluan të vëzhgonin lëvizjet e Cankajt dhe e panë atë duke i çuar të rejat drejt adresave dhe duke pritur jashtë në makinë, ndërsa gratë hynin brenda. Ai u pa gjithashtu të ishte në shoqërinë e vajzave të reja, duke bërë foto provokuese të tyre, të cilat përdoreshin për të reklamuar shërbime seksuale. Një bordello e drejtuar nga Cankaj, u zbulua gjithashtu, të pajisura me sende seksuale.
Si rezultat u identifikuar gjithsej gjashtë vajza, ku një nga tyre gjatë një interviste shpjegoi se si kishte punuar si estetiste në Brazil dhe kishte biseduar me Cankajn për paratë. Ai e mori atë në Angli dhe e dërgonte në adresa të ndryshme për të bërë seks me burra që ajo nuk i njihte, ndonjëherë 10 deri në 15 burra në ditë. Paratë i ndanin në gjysmë.
Top Channel