Seanca gjyqësore ndaj ish-presidentit Ilir Meta, deputetes Monika Kryemadhi, Piro Xhixhos dhe Ema Çokut u zhvillua me tone të qeta.
Sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, e cila ndoqi çështjen, kreu i Spak, Altin Dumani doli nga salla për shkak të një takimi që kishte, ndërsa në sallë është Arben Kraja dhe Sotir Kllapi.
Masat dhe akuzat ndaj tyre të dhëna në mungesë më herët nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë:
Ilir Meta, masa e sigurimit personal “Arrest në burg”, i dyshuar për kryerjen e veprave penale; “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 3 raste nga të cilat në dy raste është kryer në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Monika Kryemadhi, masa e sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, e dyshuar për kryerjen e veprave penale; “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 2 raste dhe në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Piro Xhixho, masa e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, e kryer në bashkëpunim.
Ema Çoku, masa e sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim.
Top Channel