Deputetja Monika Kryemadhi ka vendosur në bel shallin me logon e Partisë Socialiste, ndërsa hyn në sallën e GJKKO.
Ajo është futur në sallë, sipas pamjeve të siguruara nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, për t’u njohur me masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, të vendosur disa ditë më parë nga GJKKO.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u arrestua me urdhër të SPAK mesditën e së hënës në Tiranë.
Përveç arrestimit të Metës, janë lëshuar masa “detyrim paraqitje” për Ema Çoku dhe për Monika Kryemadhin, ndërsa ndaj Pirro Xhixhos (Babai Erisa Xhixhos) është vendosur masa “arrest në shtëpi”.
Xhixho konsiderohet si personazhi që ka ndihmuar për pastrimin e parave. Çoku konsiderohet si bashkëpunëtore dhe mike e afërt e Metës dhe Kryemadhit.
Masat dhe akuzat ndaj tyre nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë:
Ilir Meta, masa e sigurimit personal “Arrest në burg”, i dyshuar për kryejen e veprave penale; “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 3 raste nga të cilat në dy raste është kryer në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Monika Kryemadhi, masa e sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, e dyshuar për kryerjen e veprave penale; “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 2 raste dhe në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Piro Xhixho, masa e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, e kryer në bashkëpunim.
Ema Çoku, masa e sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim.
Top Channel