Ajo që përbën thembrën e Akilit në procesin ndaj dyshes Meta-Kryemadhi, është pikërisht çështja CEZ-DIA.
Një dosje që e ka përndjekur Metën prej periudhës që ai qeverisi së bashku me Sali Berishën në mandatin 2009-2013. Biznesmeni Kastriot Ismailaj, vuajti 9 vite burg për këtë aferë të rëndë. Hetimi i parë, pavarësisht indicieve dhe dëshmive, cuditërisht nuk shkoi dot deri te emri i Ilir Metës.
Dosja SPAK: ‘Hetimet kanë provuar se ka qenë shtetasi Ilir Metaj ai që i ka sugjeruar CEZ që të zgjidhte si kontraktor për mbledhje ne borxheve pikërisht shtetasin Kastriot Ismailaj. Këtë favorizim të shtetasit Kastriot Ismailaj rezulton se shtetasi Ilir Metaj e ka kryer kundrejt kërkimit apo marrjes së një përfitimi”.
Prokuroria, e konsideron Ilir Metën arkitektin e kontratës mes çekëve të CEZ që privatizuan sistemin e Shpërndarjes së Energjisë dhe subjektit “Debt International Advisory”, e njohur gjerësisht me akronimin DIA. Në thelb, kontrata parashikonte që subjekti DIA, të merrte përsipër arkëtimin e borxheve të prapambetura për llogari të CEZ. Pra, një lloj shitje e borxhit të keq që ngjason me skemën e mikrokredive që rrënoi mijëra familje të varfa shqiptare.
SPAK konkludon se ish ministri Ilir Meta, ka ndërhyrë drejtpërdrejtë me influencën e tij për lidhjen e kontratës mes DIA dhe CEZ. Një fakt i përmendur edhe në dëshminë e ish kreut të bordit të CEZ, shtetasit austriak Josef Hejsek.
“Organi i akuzës ka arritur në përfundimin se gjatë gjatë takimit me përfaqësuesit e CEZ në Pragë të shtetasit Ilir Metaj ka qenë i pranishëm edhe shtetasi Kastriot Ismailaj”.
‘Janë administruar edhe agjenda në kryeministri të një vizitë në Pragë, ku ka qenë i pranishëm Ilir Meta dhe Kastriot Ismailaj. Ismailaj kur është pyetur ka qëndruar në pozita mohuese, por SPAK thotë se kur është bërë përcaktimi i tij si administrator për mbledhjen e borxheve është bërë nën influencën e të dyshuarit Ilir Meta, ndaj ka sekuestruar edhe TIMS’ u shpreh Anila Hoxha, gazetare.
Top Channel