Gjermania rol në Ballkan? Eksperti: SHBA e ka mendjen tek Ukraina, “të hyjë” Berlini!

23/10/2024 12:43

Roli i Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor do të zvogëlohet, pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet atje, qoftë Kamala Harris, qoftë Donald Trump.

Kështu mendon Milan Niç, nga Këshilli Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë, i cili thotë se ndryshimi i politikës amerikane ka nisur në fakt që prej sulmit rus në shkallë të plotë ndaj Ukrainës shkurtin e vitit 2022.

Që atëherë, “politika e SHBA-së në Europë i ka dhënë përparësi mbështetjes për Ukrainën dhe gjithçka tjetër është strukturuar rreth saj”, shprehet ai.

Niç është bashkautor i një artikulli që publikoi javën e kaluar Këshilli Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë, me titull “Si mund ta trondisin Ballkanin Perëndimor zgjedhjet në SHBA?”.

Ai pohoi për REL se është koha që Bashkimi Europian, e sidomos Gjermania të angazhohen më seriozisht në zgjidhjen e konflikteve të mbetura në Ballkanin Perëndimor, ndërsa situatën në veriun e Kosovës e përshkruan si konfliktin më urgjent të pazgjidhur.

“Jemi vetëm disa hapa nga përshkallëzimi serioz i situatës në veri të Kosovës. Deri më tani, nuk ka ndodhur. Por janë disa situata të vogla në terren që mund të përshkallëzohen. Mendoj se ajo që ndodhi në samitin e Procesit të Berlinit javën e kaluar, ishte një sukses dhe shembull i mirë”, tha Niç.

“Gjermania duhet të përfshihet më shumë politikisht, të ngrihet kundër disa lëvizjeve të njëanshme, të merret me qeveritë dhe udhëheqësit një nga një, dhe t’i japë përparësi asaj që është e rëndësishme për ta mbajtur të gjithë rajonin nën kontroll dhe në rrugë drejt një lloj përmirësimi dhe integrimi”, shtoi ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA