Rusia ia ktheu Ukrainës trupat e 501 ushtarëve të premten, thanë autoritetet ukrainase. Ky veprim dukej se ishte riatdhesimi më i madh i të vdekurve të luftës që nga fillimi i sulmit të Rusisë në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Shumica e ushtarëve u vranë në luftimet në rajonin lindor ukrainas të Donetskut, rreth qytetit të Avdivkës. Pas një beteje të gjatë dhe rraskapitëse, forcat ruse pushtuan qytetin në shkurt, tha në një deklaratë Shtabi Koordinues i Ukrainës për Trajtimin e të Burgosurve të Luftës.
Agjencitë e zbatimit të ligjit dhe ekspertët e mjekësisë ligjore do të identifikojnë viktimat, thanë autoritetet ukrainase. Trupat më pas do t’u kthehen familjarëve për varrim.
Riatdhesimi erdhi dy ditë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy prezantoi “planin e tij të fitores” para udhëheqësve të Bashkimit Evropian dhe ministrave të mbrojtjes të NATO-s. Aleatët e Ukrainës po i japin asaj mbështetje ushtarake, por një pjesë e saj mund të bëhet objekt rishqyrtimi pas zgjedhjeve presidenciale të muajit të ardshëm në Shtetet e Bashkuara.
Plani i Zelenskit, të cilin ai e prezantoi në parlamentin e Ukrainës të mërkurën, kërkon fillimisht një ftesë të pakushtëzuar për anëtarësim në NATO, së bashku me dislokimin e armëve jo-bërthamore për frenimin e agresionit rus. Ai thotë se plani mund t’i japë fund luftës jo më vonë se në vitin e ardhshëm.
Ndërsa aleatët dhe udhëheqja e NATO-s këmbëngulin se e ardhmja e Ukrainës është në NATO, një ftesë zyrtare për t’u bërë anëtare e aleancës ende nuk është bërë. Aleatët e NATO-s kanë thënë se Kievi nuk mund të bëhet anëtar ndërsa është në luftë dhe është përqëndruar në ofrimin e mbështetjes që i nevojitet ushtrisë ukrainase për të fituar luftën./VOA
Top Channel