Izraeli dëbon gjashtë misione ndihme mjekësore nga territori i Gazës (fotot)

19/10/2024 21:55

Të paktën gjashtë misione ndihme mjekësore që vepronin brenda territorit të bombarduar e shkatërruar të Rripit të Gazës janë urdhëruar kësaj jave të largohen nga ushtria e Izraelit.

Njoftimi dhënë dje nga OBSH informonte grupet mjekësore, pasi Izraeli kishte njoftuar me një mesazh agjencinë e OKB.

Mes grupeve të përjashtuara nga mundësia e ndihmës ishin ‘Fajr Scientific’, ‘Glia’, dhe grupi mjekësor palestino-amerikan Pama.

Rrjeti Washington Post shkruante se OBSH “ishte e shqetësuar” për pasojat që kjo do të shkaktonte kjo në sistemin e ndihmës mjekësore në Gaza, duke shtuar se ndihma mjekësore është thelbësore për ruajtjen e sistemit, teksa vetëm 17 nga 36 spitalet në Gaza mbeten në funksion, shkruan rrjeti rajonal Middleeasteye.net

Agjencia izraelite e koordinimit në vend Cogat, nuk jepte arsye për vendimin e ndalimit të misioneve të ndihmës.

Ndërsa OBSh bënte thirrje për “lehtësim të hyrjes së ndihmës shëndetësore në Gaza”, ku ofensiva izraelite ka shkaktuar krizë urie dhe sëmundje, përveç më shumë se 40 000 palestinezëve të vrarë dhe shkatërrimit të banesave dhe infrastrukturës urbane.

“Ky është një dënim me vdekje për mijëra pacientë. Këto organizata kanë dërguar qindra përfaqësues mjekësorë për të dhënë ndihmë që ka shpëtuar shumë jetë të të sëmurëve dhe të plagosurve në Gaza”, shkruante Qendra Ndërkombëtare për Drejtësi për palestinezët.

Në një llogaritje të mbështetur dje nga OKB thuhej se rreth 1.84 milionë njerëz në Gaza po jetojnë në nivele të arta pasigurie ushqimore e shëndetësore, dhe numri pritet të rritet.

Vendimi i Izraelit vjen pas një raporti mbi gjendjen shëndetsore në Gaza nga New York Times, me titull “65 doktorë e infermierë; Ajo që pamë në Gaza.”

Artikulli shkruar nga kirurgu Feroze Sidhwa, i grupit mjekësor tashmë të ndaluar Pama, sillte dëshmitë e punonjësve për plagët e plumbave në kokë të minorenëve nga ushtarët izraelitë.

Publikimi i artikullit solli telashe për The New York Times teksa letra kritike nga grupet hebreje ankoheshin se ata nuk kishin folur për “brutalitetin e Hamas” dhe se vetëm “fajësonin Izraelin”.

Por kryeredaktorja Kathleen Kingsbury mbrojti publikimin duke thënë: “ne e mbështesim këtë ese dhe hulumtimin ku ajo bazohet”.

“Ne kemi redaktuar dhe hetuar thellësisht esenë para publikimit, duke verifikuar faktet dhe të dhënat video e fotografike, si dhe kredencialet e doktorëve”, shtonte Kingsbury.

Gazetarët e huaj nuk lejohen tashmë në Gaza, dhe punonjësit mejkësorë mbeten të paktët që mund të sjellin dëshminë e dhunës për botën e jashtme , shkruan rrjeti middleeasteye.net

FOTO GALERI
1/3
Njoftimi dhënë dje nga OBSH informonte grupet mjekësore, pasi Izraeli kishte njoftuar me një mesazh agjencinë e OKB.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA