PS e shkarkoi si anëtar të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Arben Malaj humbet gjyqin në Kushtetuese

15/10/2024 12:23
Ish-ministri, Arben Malaj

Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e Arben Malajt i cili pretendon se i është cenuar e drejta për një proces të rregullt ligjor, pasi PS e shkarkoi nga pozicioni si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Në vendim theksohet se kërkuesi nuk ka arritur të parashtrojë shkaqe të mjaftueshme për të provuar se çështja e tij është e një natyre të tillë që interesi i tij rrezikohet në shkallë të konsiderueshme nga kohëzgjatja e procedurave gjyqësore.

“Bazuar në argumentet e paraqitura në kërkesë, Gjykata vlerëson se kërkuesi nuk ka arritur të parashtrojë shkaqe të mjaftueshme për të provuar se çështja e tij është e një natyre të tillë që interesi i tij rrezikohet në shkallë të konsiderueshme nga kohëzgjatja e procedurave gjyqësore. Për rrjedhojë, Gjykata arrin në përfundimin se çështja e tij, për shkak të natyrës që ka, lidhet me interesa vetjakë, por jo jetësorë, të tilla që duhet të shqyrtohen me prioritet nga gjykatat e juridiksionit të zakonshëm. Në këto kushte, në lidhje me rëndësinë e asaj çfarë rrezikon kërkuesi për shkak të vonesës së gjykatës së apelit në shqyrtimin e çështjes së tij, Gjykata vlerëson se në kontekst të rrethanave të rastit, kërkuesi nuk ka argumentuar dhe provuar rrezikun për interesat e tij, natyra dhe rëndësia e të cilëve të justifikojë trajtimin me përparësi dhe shpejtësi të veçantë të çështjes së tij.

Bazuar në këto të dhëna, duke vlerësuar së bashku përfundimet e analizës të secilës prej kritereve të mësipërme që janë përcaktuese të kohëzgjatjes së arsyeshme të procesit, në kuptim të rëndësisë së asaj çfarë rrezikon kërkuesi, Gjykata çmon se çështja e tij nuk përbën shkak të arsyeshëm në aspektin kushtetues për t’u shqyrtuar me prioritet, prandaj kërkesa duhet të rrëzohet”, theksohet në vendimin e Kushtetueses së siguruar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.

Gjykata thekson se pavarësisht rëndësisë dhe përfitimeve që sjellin reformat në sektorin e drejtësisë, ligjvënësi ka për detyrë të marrë masat dhe të gjejë mjetet e duhura për ndryshimin e gjendjes faktike, me qëllim që ligjet të zbatohen dhe gjykatat e të gjitha niveleve të funksionojnë normalisht.

“Gjykata vëren se kërkuesi, në kushtet e mungesës së një vendimmarrjeje të Gjykatës Administrative të Apelit për çështjen e tij, i është drejtuar asaj me kërkesën e datës 31.08.2023 për konstatimin e cenimit të afatit të arsyeshëm dhe përshpejtimin e gjykimit. Kjo kërkesë është përcjellë në Gjykatën e Lartë në datën 10.10.2023, dhe pas plotësimit të të metave të saj është regjistruar në datën 20.10.2023 në këtë gjykatë.

Me vendimin nr. 00-2023-4789, datë 21.11.2023, Gjykata e Lartë ka vendosur mospranimin e kërkesës, ndaj i vetmi mjet në dispozicion të kërkuesit për rivendosjen e së drejtës së pretenduar të cenuar është ankimi kushtetues individual. Për rrjedhojë, Gjykata çmon se kërkuesi e ka përmbushur kriterin e shterimit të mjeteve juridike efektive, të parashikuar nga neni 131, pika 1, shkronja “f”, i Kushtetutës dhe neni 71/a, pika 1, shkronja “a”, i ligjit nr. 8577/2000.

Për sa i përket legjitimimit ratione temporis, Gjykata vëren se jo vetëm që shkelja është vazhduese, por vendimi i Gjykatës së Lartë është i datës 21.11.2023, kurse ankimi kushtetues individual është paraqitur dhe regjistruar në Gjykatë në datën 22.02.2024, ndaj në këto kushte Gjykata vlerëson se ankimi kushtetues individual i kërkuesit është paraqitur brenda afatit ligjor 4- mujor të parashikuar nga neni 71/a, pika 1, shkronja “b”, i ligjit nr. 8577/2000.

17. Në lidhje me legjitimimin ratione materiae, në thelb, objekt i ankimit kushtetues individual është tejzgjatja e procedurave gjyqësore për shqyrtimin e çështjes së kërkuesit në gjykatën e apelit, i cili, në kuptim të neneve 42 dhe 131, pika 1, shkronja “f”, të Kushtetutës, bën pjesë në juridiksionin kushtetues dhe do të analizohet në vijim në këndvështrim të së drejtës për gjykim brenda afatit të arsyeshëm.
Për themelin e pretendimeve
Për cenimin e së drejtës për gjykim brenda një afati të arsyeshëm

18. Kërkuesi ka pretenduar se Gjykata Administrative e Apelit ka tejkaluar afatin e arsyeshëm në gjykimin e çështjes, e cila është regjistruar në këtë gjykatë në datën 18.11.2020 dhe ende nuk është gjykuar. Pavarësisht kësaj situate faktike, Gjykata e Lartë ka vendosur rrëzimin e kërkesës për konstatimin e tejkalimit të afatit të arsyeshëm, në kundërshtim me jurisprudencën e

Gjykatës dhe atë të GJEDNJ-së, duke e bazuar vendimmarrjen e saj në pamundësinë objektive të shqyrtimit të çështjes për shkak të ngarkesës së çështjeve gjyqësore që ka në gjykim gjyqtari relator i çështjes. Gjykata Administrative e Apelit nuk rezulton që të ketë pezulluar çështjen për shkaqe ligjore ose që ajo të jetë shtyrë për shkak të kërkesave të palës kërkuese, si dhe nuk janë shfaqur rrethana të pamundësisë objektive për procedim, sipas nenit 399/2, pika 3, të KPC-së.

Prej kësaj gjykate nuk janë ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe efektive për rregullimin e situatës, në kushtet e tejkalimit të afatit ligjor të parashikuar në nenin 399/2, shkronja “a”, të KPCsë. Çështja që kërkohet të zgjidhet nga kjo gjykatë është specifike dhe e ndjeshme, prandaj ajo duhet ta marrë në konsideratë dhe ta zgjidhë atë sa më shpejt të jetë e mundur.

19. Neni 42 i Kushtetutës përcakton se kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe interesave të tij kushtetues dhe ligjorë, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm. Në jurisprudencën e saj Gjykata ka vlerësuar se kohëzgjatja e gjykimit, normalisht, llogaritet nga momenti i fillimit të procesit gjyqësor deri në dhënien e vendimit dhe se në kohëzgjatjen e përgjithshme të gjykimit nuk përjashtohen vonesat e shkaktuara nga zbatimi i reformës në drejtësi, pasi barra e këtyre vonesave nuk duhet të zhvendoset te palët ndërgjyqëse”, sipas vendimit të Kushtetueses.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA