Gjykata e Lartë vendosi rrëzimin e kërkesës së Ervin Salianjit për pezullimin e dënimit me 1 vit burg nga Gjykata e Apelit.

Vendimi u mor nga trupa gjykuese që kryesohej nga Sokol Binaj dhe antarë Ilir Panda dhe Sandër Simoni, e mbajtur në dhomë këshillimi pa praninë e palëve.

“Mospranimin e kerkeses se paraqitur nga kerkuesi Ervin Salianji, per Pezullimin e vendimit nr.2900 date 18.12.2019, te Gjykates se Rrethit Gjyqesor TIrane, lene ne fuqi me vendimin nr. 30-2024-6822, datë 26.09.2024 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tirane”, theksohet në vendim.

Një ditë më parë avokatët e Salianjit bënë parashtrimet shtesë ku kërkuan pezullimin e vendimit “derisa të ketë një shqyrtim të plotë dhe të drejtë të çështjes. Pezullimi është i domosdoshëm për të garantuar një proces të drejtë, për të mbrojtur të drejtat kushtetuese dhe konventore të Salianjit, dhe për të siguruar që demokracia dhe përfaqësimi politik të mos dëmtohen nga një vendim i paarsyetuar dhe disproporcional”.

Avokatët e Salianjit pretendojnë se në vendimin e Apelit është shkelur parimi i proporcionalitetit të dënimit. Sipas tij çdo ndëshkim apo masë kufizuese e lirive të garantuara duhet të jetë e balancuar, e arsyeshme dhe të përputhet me qëllimin për të cilin është aplikuar.

Dënimi me një vit burg për veprën penale të “Kallëzimit të Rremë”, në rastin e deputetit Ervin Salianji, përbën një shkelje të parimit të proporcionalitetit, pasi ky dënim është dukshëm i tepruar në raport me natyrën e veprës penale dhe rrethanat e çështjes. Për më tepër, ai nuk përmbush asnjë funksion të parandalimit të përgjithshëm apo parandalimit të posaçëm, duke e bërë ekzekutimin e tij të padrejtë dhe të paligjshëm”, thuhet në parashtrimet e avokatëve të ish deputetit demokrat.

Një tjetër nen i kushtetutës që është shkelur, sipas avokatëve të Salianjit, është neni 22 si dhe neni 10 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, për lirinë e shprehjes.

“Rasti i denoncimit të kryer nga Ervin Salianji, në cilësinë e tij si deputet, bie plotësisht nën mbrojtjen e këtyre dispozitave. Aktiviteti i tij i denoncimit të një çështjeje me interes publik mbështetet nga parimet themelore të lirisë së shprehjes, dhe ndëshkimi i tij penal për një veprim të tillë përbën një cenim të drejtpërdrejtë të lirisë së shprehjes, në kundërshtim me Kushtetutën dhe KEDNJ-në”.

Pala e ish deputetit Salianji vlerëson gjithashtu se ekzekutimi i vendimit të Apelit për vuajtjen e dënimit me burg cenon gjithashtu procesin zgjedhor në vend.

Ekzekutimi i një dënimi të tillë penal në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025 krijon një ndërhyrje të padrejtë në procesin zgjedhor, duke ndaluar kandidimin dhe fushatën e një deputeti aktiv. Ky ndëshkim prek të drejtën e tij për të kandiduar dhe për të marrë pjesë në procesin politik si përfaqësues i një pjese të rëndësishme të elektoratit. Çdo veprim që ndërpret mundësinë e kandidimit të një deputeti të zgjedhur, pa një vendim gjyqësor të arsyetuar, është haptazi joproporcional, dhe është një sulm mbi demokracinë dhe lirinë e zgjedhjeve”, shkruajnë avokatët e Salianjit

Ai dënua nga Gjykata e Apelit më 26 shtator me 1 vit heqje lirie, ndërsa u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës një ditë pas vendimit.  Ai po vuan dënimin në burgun e Fierit.

Kujtojmë se 4 ditë pas dënimit me burg, ish-deputeti kërkoi pezullimin e vendimit të Apelit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA