Buqeta me lule mbërritën në shtëpinë e Sali Berishës, i cili këtë 15 tetor fik 80 qirinj në tortën e ditëlindjes së tij.
Fundi i dekadës së tetë e jetës e gjeti liderin e opozitës në arrest shtëpie dhe me statusin e të pandehurit dhe në mungesë të një feste, vendosi të hapë një dritare virtuale për miqtë e tij.
“Unë zgjodha si momentin më kryesor të ditëlindjes sime, 80-vjetorit, komunikimin me miqtë e mi në rrjetet sociale. Keni besuar tek unë edhe në kohërat më të vështira. Nuk kisha ëndërruar ndonjëherë se kjo majë do të ishte aq e bukur për Sali Berishën, pavarësisht nga vështirësitë, ndërlikimet”, tha si fillim Berisha.
Rrjetet sociale nuk janë i vetmi kontakt me atë që ndodh jashtë katër mureve të banesës së tij. Lajmi për hapjen e kapitullit të parë të negociatave kishte mbërritur dhe në shtëpinë e liderit të opozitës.
Vendimin të cilin duartroket, Sali Berisha e sheh si meritë të shqiptarëve dhe jo të qeverisë së kryeministrit Edi Rama, për të cilin rendit një lumë akuzash.
Nëse do kishte fuqi të kthente kohën pas, Sali Berisha zbuloi se çfarë do bënte ndryshe nga rrugëtimi i tij politik.
“Nëse do kthehesha në kohë, ligji 7501 nuk do ishte ky që është. Piramidat nuk do ndodhnin kurrë, nëse do kthehesha në kohë… më pyet tre, por do thoja 30, por këto dy gjera i kam peng”, u shpreh Berisha.
Top Channel