Irani kërkon të vrasë Trump-in? Paralajmërimi i Biden: Çdo tentativë ndaj jetës së tij do të ngjallte reagim të ashpër të SHBA-së

15/10/2024 14:34

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden paralajmëroi Iranin se vrasja e Donald Trumpit do të përbënte një akt lufte thotë Fox News.

Media e njohur amerikane njofton se kreu i Shtëpisë së Bardhë ka udhëzuar Këshillin e tij të Sigurisë Kombëtare që t’i bëjë të qartë Republikës Islamike se çdo tentativë ndaj jetës së ish presidentit, do të ngjallte një reagim të skajshëm të SHBA-së.

Paralajmërimi i ashpër i Bidenit vjen pasi ekipi i Trump është informuar rreth tentativave specifike për eleminimin e republikanit dhe ka bërë një kërkesë të pazakontë për avionë ushtarakë në ditët e fundit të fushatës. Shtetet e Bashkuara kanë bërë përpjekje të paprecedentë për të mbrojtur ish-presidentin nga hakmarrja e Iranit për vrasjen e gjeneralit Qassem Soleimani në vitin 2020.

Rreth 150 milionë dollarë në vit janë shpenzuar për mbrojtjen e zyrtarëve të lartë si ish-Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo dhe gjenerali Kenneth McKenzie, ish-kreu i Komandës Qendrore të SHBA-së, thotë edhe Politico. Kur u pyet nga Fox News Digital muajin e kaluar, Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të thoshte nëse Biden besonte se vrasja e Trump do të ishte një akt lufte, por premtoi se do ta mbante ekipin të informuar rregullisht lidhur me vlerësimet e çdo kërcënimi të mundshëm nga Irani.

“Ne këtë e konsiderojmë çështje të sigurisë kombëtare dhe të prioritetit më të lartë, ndërsa e dënojmë me forcë Iranin për këto kërcënime të paturpshme”, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Sean Savitt, i cili pohoi ndërkohë se Teherani ka kërkuar prej kohësh hakmarrje për vrasjen e Sulejmanit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA