E PLOTË/ Hapja e grupkapitullit të parë, Rama: S’ka plan B, nëse sërish vonohet procesi! BE, rruga e vetme! Varhelyi: Mund të jetë anëtare në fund të mandatit

15/10/2024 14:20

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Luksemburg në krye të delegacionit shqiptar për të marrë pjesë në Konferencën e dytë Ndërqeveritare me BE, që çel grupkapitullin “Themeloret” në tryezën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Ai doli në një konferencë të përbashkët për mediat me Péter Szijjártó, Ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, e cila mban edhe presidencën e radhës së BE-së dhe Komisionerin e BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë Péter Szijjártó:  Mirëmëngjesi të gjithëve ju! Momentet që kemi përjetuar gjatë kësaj një orë e gjysmë të fundit kane qenë historike, sigurisht duke pasur parasysh faktin se kemi çelur grupin e parë të kapitujve me  Shqipërinë, që do të thotë, duke folur në mënyrë substanciale, bisedimet e anëtarësimit kanë nisur për t’u siguruar që Shqipëria të bëhet anëtare e BE sa më shpejt të jetë e mundur.

Çështja e përshpejtimit të zgjerimit të BE drejt rajonit të Ballkanit Perëndimor ka qenë në krye të rendit të ditës së presidencës hungareze. E kuptojmë që BE po humbet konkurrueshmëri, po humbet peshën e tij kur vjen fjala për politiken globale dhe ekonominë botërore. Kësisoj kuptojmë që BE ka nevojë për freski, për energji të re, për një stimul të ri. Duke qene fqinj të drejtpërdrejtë me rajonin perëndimor, duke njohur mirë rajonin, e dimë që kjo freski, kjo energji e re për të cilën kemi nevojë do të vijë absolutisht nga hapësira e Ballkanit Perëndimor. Për rrjedhojë është në interesin e mirëfilltë europian që zgjerimi i  BE  drejt Ballkanit Perëndimor të përshpejtohet.

Nga ana tjetër, na duhet të ndërmarrim hapa urgjente për të ruajtur besueshmërinë e politikës së zgjerimit. E konsiderojmë politikën e zgjerimit si një prej më të rëndësishmëve të BE dhe na duhet të kuptojmë që kjo politikë ka humbur besueshmëri gjatë kohëve të fundit, duke parasysh faktin se koha mesatare e pritjes së vendeve kandidatë në Ballkanin perëndimor ka tejkaluar tashmë 15 vjet.

Kjo është thjeshtë e papërshtatshme. Na duhet të përshpejtojmë procedurën e zgjerimit tani.

Nga ana tjetër, shumica e shteteve anëtare zakonisht shprehen se zgjerimi duhet të jetë një proces mbështetur në merita. “Mbështetur në merita”, – këtë dëgjojmë si shprehje shume shpesh dhe meritat janë qartësisht nëqoftëse do të shihnim arritjet e Shqipërisë gjatë viteve të fundit, qofshin në ekonomi, në politikë, në çështje sociale është e dukshme që meritat janë të pranishme. Ne hungarezët mund të mbështetemi tek përvoja jonë dypalëshe, shpresoj të mos jetë e ndaluar këtu.

Investuesit hungarezë luajnë rol të rëndësishëm për modernizimin e ekonomisë shqiptare dhe të gjithë ata priren të raportojnë që rrethana dhe mjedisi që përjetojnë në Shqipëri janë absolutisht të kënaqshme, absolutisht të bazuara në treg dhe në konkurrencë.

Nga ana tjetër, kur vjen fjala për fusha të tjera, është e qartë që Shqipëria ka ecur shumë mirë, kur vjen fjala për kushtet që ka vendosur BE që të ketë mundësi të çelë kapitujt e negociatave.

Për rrjedhojë është një nder dhe privilegj i madh për ne që nisja e negociatave të vërteta thelbësore me Shqipërinë për anëtarësim nisën gjatë presidencës hungareze. Madje mund të them që ky po shndërrohet në zakon, nga ana jonë sepse 14 vjet e gjysmë më parë, ishim po në këtë pozicion dhe ishte hera e fundit kur përgatitjet e një vendi kandidat përfunduan, në atë kohë ishte Kroacia.

Dhe shpresoj që duke i dhënë fjalën kryeministrit për komentet përmbyllëse, shpresoj që të mos presim deri në presidencën tjetër hungareze për të patur një anëtarësim tjetër.

Duke folur në mënyrë më burokratike, sot folëm për grup kapitujt e ashtuquajtur “Themelorët”. Janë 6 grup kapituj, të cilët duhet të negociohen tej e tej.

E dimë sepse nuk ka kaluar shumë kohë që kur jemi bërë anëtarë të BE, e dimë që procesi i bisedimeve, procesi përgatitor është vërtetë i vështirë, kompleks, i fortë dhe e dimë që përvoja ka rëndësi këtu, kështu që kur kryeministri na nderoi me vizitën e tij të premten e kaluar në Budapest, ramë dakord që Akademia diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Hungari do të ofrojë trajnim për 50 pjesëtarë të administratës publike shqiptare, në mënyrë që ata të mund të kontribuojnë në procedurat e anëtarësimit dhe përgatitjet në përgjithësi.

E fundit në radhë, por jo nga rëndësia, më duhet të them që ne jemi të vendosur drejtpërdrejtë si fqinj të Ballkanit perëndimor dhe zhvillojmë një politikë mjaft të përgjegjshme të fqinjësisë sepse dimë sesi ndihesh në fqinjësi kur ka paqe, qetësi, zhvillim dhe stabilitet në zonën e Ballkanit perëndimor dhe kur përjeton mungesën e  gjithë kësaj. Ne e dimë që procesi i integrimit mund të ndihmojë për ta bërë Ballkanin perëndimor më të zhvilluar, me më stabilitet dhe më të sigurte. Për rrjedhojë Hungaria është e përkushtuar të shoqërojë Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt BE. Ne do të bëjmë më të mirën në këtë drejtim.

Do doja të falënderoja kryeministrin që nuk humbi durimin gjatë muajve dhe viteve të fundit për të vazhduar dedikimin e përkushtimin e tij dhe mund t’ju premtoj që do të përgjigjemi reciprokisht këtij dedikimi dhe këtij durimi.

Nga ana tjetër, dua të njoh meritat e Komisionerit për zgjerimin, jo për shkak të shtetësisë së tij, por për atë çka ka bërë gjatë 5 vitet e fundit. Mendoj që për punën  e tij flet më shumë letra e nënshkruar nga 4 udhëheqës të BE, përfshirë Kryeministrin, dërguar presidentes se Komisionit ku theksoheshin arritjet që ishin përftuar gjatë mandatit të Komisionerit. Të dy, faleminderit kryeministër, faleminderit komisioner që më nderuat për të qenë pjesë e këtij momenti historik.

Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Mirëmëngjesi edhe një herë të gjithëve! Jam vërtetë i lumtur që gjendem këtu me ministrin Szijjártó, ne cilësinë e tij si kryesues i mbledhjes së dytë të konferencës ndërqeveritare me Shqipërinë dhe me komisinerin Várhelyi, në vijim të një seance emocionale do të thoja dhe të suksesshme të konferencës që e sjell Shqipërinë që ndihesh mjaft mirë dhe mjaft i sigurte.

Kështu që, faleminderit presidencës hungareze që ka luajtur një rol mjaft të rëndësishëm në këtë proces, duke nxitur përpara dhe gjithashtu faleminderit Komisionerit Várhelyi dhe ekipit të tij që na ka ndihmuar e na ka mbështetur përgjatë gjithë rrugës për 5 vite të gjata sfiduese dhe jo fort të lehta për ta thënë butë dhe faleminderit gjithë shteteve anëtare, falë tyre qëndroj këtu përpara këtij hapi mjaft domethënës, drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe është me të drejtë një ditë historike, me domethënie historike për Shqipërinë dhe shqiptarët, por në këndvështrimin tim dhe për BE. Nuk na duhet, së paku shpresoj jo, një kujtesë e rëndësisë për të qëndruar e për të punuar së bashku të lidhur nga parime dhe vlera që përkufizon BE.

Kjo është veçanërisht e vërtetë në këto kohëra sfiduese kur një mori krizash na janë qasur me nevojën për t’u bërë më pranë e për të qëndruar të gjithë së bashku dhe nevojën e mirëfilltë për t’u përballur me veten dhe për të kuptuar mënyrën për të ecur përpara.

Për fat të keq dhe këtë nuk e shmang dot pa e thënë, kjo ishte me ndihmën e Vladimir Vladimirovich Putin që ky proces mori një shpejtësi të re pas agresionit të tij në Ukrainë që shërbeu si një zile zgjimi që i kujtoi Europës se iluzioni i vetëmjaftueshmërisë është vetëm kaq, një iluzion dhe të qartësojë në mënyrën më të vështirë se keni nevojë për Ballkanin Perëndimor, po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE-në.

Kështu çelja e grup kapitullit themelor sot me 5 kapitujt kryesor plus tri kriteret përbën një arritje të madhe dhe besoj për të dy palët, qoftë për Shqipërinë, ashtu edhe BE-në dhe shënjon një gur themeli historik në rrugëtimin e përbashkët drejt ribashkimit tërësor europian.

Dje isha në Berlin për procesin e Berlinit dhe një gazetar më pyeti nëse Shqipëria ka një plan B, në rast se BE-ja edhe njëherë vonon apo ndërlikon procesin, ashtu siç sinqerisht ka bërë në të shkuarën. Dhe po, për fat të keq është e vërtet që herë – herë, BE-ja mund të jetë e padrejtë dhe është treguar e padrejtë ndaj vendeve kandidate, u tregua e padrejtë ndaj nesh ku hodhi poshtë vet rekomandimet e Komisionit të vet mbështetur në fakte e në atë çfarë e bën Komisionin Europian raport hartuesin më të besueshëm për të nisur bisedimet me Shqipërinë më shumë se njëherë.

Megjithatë, ne shqiptarët nuk mund të kemi një plan B kur vjen fjala për liri individuale, sundimin e ligjit dhe demokracinë funksionale. Historia na ka mësuar në mënyrë më të vështirë se kjo nuk të gjendet, madje të garantohet jashtë sferës së BE-së. Këto janë A, B dhe C e mënyrës së jetës europiane.

Zgjedhja e një alternative ndaj anëtarësimit të plotë në BE, do të ishte të hiqje dorë nga mënyra e jetesës  që më së fundmi zgjodhëm, pasi duruam epoka errësire nën perandori e regjime që na u imponuan. Për ne nuk është një retorikë pro europiane është çështje jete a vdekje, për ëndrrën tonë që t’u lemë brezave të ardhshme një vend ku liria individuale është e padiskutueshme, ku sundimi i ligjit respektohet e ku demokracia funksion për gjithsekënd. Alternativat ndaj kësaj ëndrre janë vetëm makthe të llojeve të tjera. Gjendemi këtu sot sepse Shqipëria ka përmbushur në mënyrë absolute të gjitha parakushtet për të nisur këtë fazë të anëtarësimit dhe mbetet e palëkundur në vendosmërinë e saj për të përmbushur të gjitha detyrimet e ardhshme. Do ta bëjmë këtë së bashku me partneret tanë përmes negociatave me angazhime të qarta e përmes punës së madhe.

E bëjmë me përpjekje të ripërtërira për të forcuar arritjet e bëra në reformën në drejtësi, duke nxitur një sistem gjyqësor sa më transparent, më llogaridhënës dhe iu thashë edhe sot atë që iu kam thënë shteteve anëtare që  për herë të parë në historinë tonë, qysh prej kur Shqipëria u bë shtet sovran në 1912 po shohim hetime të profilit të lartë dhe figura politike që akuzohen apo dënohen përpara një gjykate të pavarur, pavarësisht lidhjeve të tyre me partinë në pushtet apo me të tjerë.

Do ta bëjmë këtë edhe duke luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në çdo nivel për të garantuar sigurimin e qytetarëve tanë e për të merituar vendin tonë në tryezën e BE-së.

Institucionet tona të reja të drejtësisë të lindura nga reforma më tërësore themelore në drejtësi që është ndërmarrë nga një vend kandidat përpara së të hyjë në BE, po shënojnë përparime domethënëse, krah agjencive ligjzbatuese të partnerëve europianë. Ky progres vetëm sa do të thellohet më tej. Do ta bëjmë këtë, duke mbrojtur e ruajtur të drejtat e njeriut, sigurisht në një shoqëri gjithëpërfshirëse që nderon diversitetin dhe ruan të drejtat e grupeve të pakicave, duke siguruar përputhshmërinë me standardet europiane ndërkombëtare të drejtave të njeriut.

Ne kemi zbatuar tashmë një kuadër mjaft progresiv ligjor, bazuar në standardet e Këshillit të Europës, duke shërbyer si një shembull i shndritshëm për shumë të tjerë, përshi edhe vende brenda Bashkimit Europian kur vjen fjala për angazhimin për një shoqëri gjithëpërfshirëse, ku të gjitha pakicat janë të barabarta dhe të mbrojtura njësoj dhe vullneti ynë për të jetuar në frymë e në letër këtë legjislacion do të plotësohet së shpejti me aktet nënligjore.

Do ta bëjmë këtë, duke forcuar funksionalitetin e integritetin e kuadrit tonë demokratik me administratë publike që udhëhiqet nga parimet e efikasitetit, transparencës dhe meritokracisë mbi punën e shkëlqyer të një ekipi të madh negociatorësh kombëtarë gjatë fazës sfiduese të kontrollit të legjislacionit me BE-në dhe do ta forcojmë këtë administratë publike në shërbim të qytetarëve tanë dhe të ardhmes sonë në Bashkimin Europian dhe ky është momenti për të falënderuar shumë kryeministrin Orban dhe qeverinë e tij, që na kanë treguar qysh prej ditës së parë e kanë theksuar kur unë vajta në Budapest vullnetin për të ndihmuar, për përcjelljen e dijeve që Hungaria ka përftuar gjatë procesit të vet të afrimit dhe më pas të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Kësisoj jam shumë mirënjohës miku im i dashur Peter dhe për këtë angazhim të fundit të akademisë suaj të shkëlqyer të Ministrisë së Jashtme për t’u vënë në shërbim të rritjes së aftësive dhe të nivelit të kapaciteteve tona negociuese.

Nuk dua të marr më shumë kohë.

Më lini ta përmbyll duke shprehur bindjen që çdo sukses që Shqipëria arrin në procesin e integrimit në BE duhet të shihet po kështu si një hap tjetër përpara për të gjithë rajonin.

Edhe njëherë më shumë se kurrë BE-ja ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE-në, duke treguar rrugën drejt BE-së, duke qëndruar fort vlerave e parimeve të tij është një shprehje mjaft e gjallë e këtij angazhimi. E vendet tona mund të kenë mjaft dallime në  faza të ndryshme të këtij procesi, por një gjë është e njëjtë kudo. Dëshira për të qenë pjesë e këtij bashkimi që është projekti më i suksesshëm i paqes dhe zhvillimit që ka krijuar njerëzimi. Për Shqipërinë nuk ka tjetër të ardhme, nuk ka vend tjetër e nuk ka rrugë tjetër përpos së ardhmes sonë në BE, vendit tonë brenda BE-së dhe rrugës së BE-së. Faleminderit!

Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi: I dashur kryeministër, i nderuar ministër Szijjártó!

Të dashur miq!

Mendoj që po kremtoni një vendim mjaft të rëndësishëm sot, ndonëse zhargoni i procesit duket shumë teknik që hapëm, grup kapitullin e parë të negociatave që tashmë është çelur rruga për bisedimet thelbësore çka nënkupton që tashmë do të negociojmë kushtet në të cilat Shqipëria do të jetë anëtare e Bashkimit Europian.

Kjo është ajo çka po ndodh sot.

Doja po kështu të falënderoja presidencën hungareze që ka nisur punën, duke e vendosur zgjerimin, jo vetëm si përparësi politike, por po kështu duke i kushtuar përpjekje të jashtëzakonshme për të nxitur e për të shtyrë përpara procesin institucional, çka nënkupton që të merren të gjithë vendimet e nevojshme, të zhvillohen të gjitha takimet e duhura për të ecur përpara edhe drejt përmbylljes së bisedimeve të anëtarësimit.

Është e padiskutueshme tashmë mendoj, për BE-në dhe udhëheqësit e saj që zgjerimi është mes tre përparësive kryesore. Është mes këtyre tre përparësive sepse pa zgjerimin, Europa nuk mund të bëhet më e fortë. Na duhet zgjerimi që Bashkimi Europian të bëhet më i fortë.

Krahasuar me pikën nga e nisëm në 2019 kemi bërë një rrugë të gjatë përpara. Më kujtohet shumë mirë dita e parë në detyrë kur mu desh të telefonoja kryeministrin Rama në mëngjes herët sepse ishin përballur me një tërmet shkatërrues, tërmet me shkallë Rihter 6,4 ballë. Ndërhymë menjëherë në përpjekje për të ndihmuar dhe mendoj që kjo formësoi dhe pjesën tjetër të mandatit dhe jo vetëm i dha formë mandatit, por solli po kështu, një qasje të re sepse ajo çka trashëgova nga Komisioni Juncker dhe kryeministri e përmendi tashmë ishte më shumë një skenë si një makinë e përplasur sesa një portofol. Kishim tre përpjekje të dështuara për të arritur marrëveshje për nisjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo ishte pika nga duhet ta filloja dhe në thelb u desh që politika e zgjerimit të ngrihej, më së pari, në këmbë dhe pastaj të merreshim me integrimin e mirëfilltë që do të thotë të dinim sesi do të arrinim ekonomi të ngjashme, shoqëri të ngjashme në Ballkanin Perëndimor edhe përpara sesa të ndodhë anëtarësimi dhe kjo u bë përmes Planit Ekonomik të Investimeve.

E para ishte të hartonim një metodologji të re dhe pastaj i treti është edhe plani i rritjes, që tashmë po e përshpejton zgjerimin dhe për të bërë të mundur që në fund të mandatit të Komisionit të ardhshëm, ne të mund të shohim kryeministrin Rama që të emërojë dhe Komisionerin e parë apo të japë propozimin e vet për Komisionerin e parë në Komision.

Kur diskutoja me kryeministrin planet e mia dhe i thoja që “Mendoj se mund të bëjmë maksimumin”, ai më shihte, nuk e njihnim njëri-tjetrin, por më shihte, si ta them, me një nivel modest pikëpyetjeje nëse kjo do të ishte e mundur dhe është e mundur. Është e mundur sepse Shqipëria ndërmori një qasje të re kur vjen fjala për t’i bërë gjërat dhe kjo qasje e re do të thotë të mos druhet të bëjë gjithçka është e nevojshme, përfshirë edhe në terren.

Në qoftëse do të marrim disa shembuj. Kishim në 2020 shqetësime mjaft të mëdha sa i takon krimit të organizuar, sa i takon korrupsionit, sa i takon sistemit gjyqësor dhe ne vërtetë u futëm shumë thellë me kryeministrin dhe ai është angazhuar, e ka realizuar por duke ndërmarrë veprime, së bashku me shtetet anëtare duke ndërtuar besimin copëz pas cope, tullë pas tulle dhe mendoj që ishte një element thelbësor në suksesin që vendi ka akumuluar tashmë.

Po të hedhësh sytë pas e të shohësh ku jemi tani, kaluam COVID, na u desh të dërgonim vaksinat, u mor një vendim i madh që në 2020 për të nisur negociatat, pastaj u përballëm me një tjetër problem që nuk kishte aspak lidhje me Shqipërinë, por në 2022 patëm Konferencën e Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë, çka nënkuptonte që bisedimit e anëtarësimit nisën.

Krah kësaj nisëm, po kështu, të ndërtonim Europën në Shqipëri. Kemi trajtuar çështje, të cilat mendoj se kanë qenë problem prej një sërë dekadash. Bypass-i i Vlorës që e përuruam, tashmë keni Kolegjin e Europës në Shqipëri, i pari në Ballkanin Perëndimor dhe mund të vazhdoj lista shumë, shumë e gjatë dhe kjo ka ndodhur sepse Shqipëria kurrë nuk është stepur të bëjë çdo gjë të nevojshme në rrugëtimin e saj drejt BE-së dhe shpresoj që kjo të vazhdojë sepse nëse kjo vazhdon, kjo nënkupton që në të gjitha instrumentet që kemi në duar, Shqipëria mund ta përgatisë veten për tu bërë anëtare në fund të mandatit të ardhshëm, por kjo nënkupton që në terren, po kështu, duhet të zbatojmë Planin Ekonomik të Investimeve. Kështu kemi lajme të mira. Jemi në nivelin e 60% të zbatimit. Mendoj që ndoshta është pjesa më e suksesshme e të gjithë pjesës së buxhetit të BE-së, 60% vetëm deri tani, çka nënkupton se jo vetëm që kemi arritur sukses sa i takon zbatimit, por kjo nënkupton që efektivisht, programi është edhe mbi atë çfarë duhet të kemi, në fakt, 7 miliardë për nevojave  investime që mund të nxitim dhe një 20 miliardësh tjetër investime në rajon, investime në ekonomi, jo investime në përgjithësi, investime që do të krijojnë një ekonomi të re dhe një shoqëri të re në Ballkanin Perëndimor, qoftë tek ndërlidhshmëria, energjia, mjedisi, qoftë trajtimi i mbetjeve apo ujërave të ndotura.

Në të gjitha aspektet e jetës së përditshme, Bashkimi Europian po e përshpejton ritmin dhe ndërkohë pret që ju të ndërmerrni reformat e nevojshme që ju të bëheni anëtarë. Kryeministër, keni tashmë gjithçka në dispozicionin tuaj ndaj shpresoj që kur të vijë koha për të ikur, ju do të përshpejtoni edhe më shumë punën që unë e di, ju e keni kaq shumë përzemër.

Faleminderit shumë!

* * *

– Kryeministër, pyetja e parë për një tipar më të gjerë të Europës. Marrëveshja juaj me Italinë për përpunimin e emigrantëve duket se ka frymëzuar vendet e tjera të BE-së. E di që udhëheqësit e BE-së kanë prirjen të diskutojnë për të tilla marrëveshje të ngjashme kur të takoheni javën tjetër. A është afruar ndonjë vend tjetër tek ju për një gjë të tillë dhe çfarë do t’u thoni atyre skeptikëve që thonë se ju po bëni punën e pisët të BE-së?

-Ministrit të jashtëm, shumë analistë thonë që mënyra e vetme që BE-ja të zgjerohet në mënyrë të besueshme është që të heqë votën unanime dhe po kështu të shmangë bllokimin e votave në bllok. A ka konsideruar ndonjëherë Hungaria që të heqë dorë nga vetoja e saj?

Komisoner, jam e interesuar edhe për mendimet tuaja se çfarë duhet të bëjë BE-ja për detyrat e veta të shtëpisë apo për reformat e veta në mënyrë që të jetë në gjendje të zgjerohet, të rritet dhe të pranojë anëtare të rinj në klub? Faleminderit shumë!

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për pyetjen. E kam shpjeguar gjatë për gazetarë të panumërt, sipas standardeve të mia, në Berlin dje, për arsyen pse Shqipëria e ka bërë këtë marrëveshje dhe sesi e shohim ne këtë dukuri. Edhe njëherë, po, na është kërkuar nga të tjerë dhe kemi thënë jo.

Së dyti, gjithkush duhet të kuptojë se marrëdhënia jonë me Italinë është mjaft e veçantë dhe shkon pas mijëra vjet, por po kështu shkon pas në kohë me një volum, shumë volume domethënëse ndërveprimi, gjatë më shumë se 30 vitet e fundit, qysh prej se dolëm nga gropa e ferrit e regjimit më mizor komunist në Europë, kur u larguan me qindra-mijëra nga brigjet tona dhe Italia hapi krahët për ne apo kur Italia erdhi të na shpëtonte nga një katastrofë e mundshme financiare pas rënies së skemave piramidale e duke ardhur tek ditët e tërmetit që Komisioneri Várhelyi i përmendi me të drejtë, si fillesë e rindërtimit tonë të kësaj marrëdhënieje, kur pjesëtarët e ndihmës së shpejtë italiane ishin të parët që erdhën e që rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar jetët e atyre shqiptarëve nën rrënoja, kështu që kjo është shumë e rëndësishme. Nëqoftëse kjo për Italinë ka qenë punë e pistë, atëherë na duhet të reciprokojmë.

Së treti, mos harroni, ne nuk jemi vend i BE-së, ne jemi vend E- europian dhe kjo nuk është një certifikatë që e kemi marrë në Bruksel apo që mund të na merret nga Brukseli. Kësisoj gjeografia jonë flet shumë për atë çfarë kemi bërë për Italinë dhe po, nëqoftëse se ka ndonjë gjë për t’u përpunuar, për t’u zhvilluar mbi këtë model, duhet të jetë në shkallët e epërme apo nivelet e epërme të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor dhe kjo është një arsye tjetër, kjo dukuri, për të kuptuar pse Bashkimi Europian dhe Ballkani Perëndimor duhet të qëndrojnë pranë e të punojnë afër me njëri-tjetrin. Dukuria e emigracionit nuk është diçka që mund ta zgjidhësh një copë këtu e një copë atje, por si e tërë, e duke garantuar një qasje gjithësore të tërë BE-së ndaj këtij fenomeni, sepse një gjë është të luftosh emigracionin e paligjshëm dhe një gjë tjetër është të garantosh migracion të rregullt dhe Europës i duhet të bëjë të dyja këto.

Në fund të kësaj përgjigjeje time paksa të gjatë ndoshta, por për respektin tuaj të pranishëm këtu dhe që po ndiqni këtë moment historik për Shqipërinë, do të thoja që jemi shumë të prirur të bëjmë çdo gjë që është e nevojshme për të qenë një shtet anëtar krenar i BE-së. Ne e dimë, jemi të vetëdijshëm për madhësinë dhe peshën tonë dhe pse edhe jam nga më të gjatët mes kryeministrave, kjo nuk më shpërqendron nga fakti që përfaqësoj një nga vendet më të vogla. E di që ndonjëherë për më të voglin ka një punë të madhe për të bërë, por nuk është menu. Kur hyn në një familje të madhe, nuk mund të zgjedhësh vetëm ëmbëlsirat dhe ushqimin e shijshëm. Ndonjëherë të duhet të marrësh edhe gjëra të tjera që janë në menu e që ndoshta nuk janë dhe kaq të shijshme, por duhet ta bësh. Kjo është mënyra si e shohim angazhimin tonë ndaj kësaj familjeje, të qenit besnik deri në fund dhe në fakt ua kam thënë edhe shteteve anëtare. BE kurrë nuk do të këtë një anëtar më besnik se Shqipëria. E kemi dëshmuar gjatë historisë sonë. Ne jemi shumë besnikë ndaj perandorive. Faleminderit shumë!

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë Péter Szijjártó: Për ta thënë thjesht, mendoj që heqja dorë nga kushti  i unanimitetit, do të çonte në shkatërrimin e Bashkimit Evropian. Do t’ua them pse. Sepse në rast se unanimiteti do të eliminohej, do të ndikonte, do të ulte rolin e vendeve të mesme dhe të vogla sepse në rast mos nevoje për unanimet, do të ishin të mëdhenjtë që do të vendosnin për çështjet e rëndësishme, kështu që puna e vendeve të mesme e të vogla do të jetë vetëm të thonë “po, oui, yes”, e kështu me radhë, por nuk është kjo mënyra se si duhet trajtuar një vend. Nuk është rastësore pse funksionimi i BE-së është mbështetur në traktate, në metodologji, pjesët e të cilave kërkojnë unanimitet kur merren vendime për çështje të rëndësishme. Më duhet po kështu t’ju them se ato vende anëtare, të cilat e përmendin unanimitetin si pengesë të zgjerimit, në thelb thjesht po kërkojnë justifikime, për të thënë pse nuk janë entuziastë për zgjerimin sepse më besoni, nëqoftëse do të më duhet të emërtoj hapësirën ku hipokrizia apo fushën ku hipokrizia është në krye në BE, atëherë zgjerimi do të ishte një prej tyre, sepse tjetër flasin kolegët e mi përpara audiencës, tjetër midis tyre dhe për fat të keq, më duhet të them që disa prej tyre nuk thonë të njëjtën gjë pas dyerve të mbyllura e përpara, pra ne përpiqemi që ata që thonë diçka ndryshe pas dere, të thonë në fund të ditës të njëjtën gjë, si të gjithë.

Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi: Mënyra se si BE duhet të reformohet për të mirëpritur anëtar të rinj, mendoj që Komisioni ka qenë mjaft i qartë për faktin se konfigurimi aktual, institucional i traktateve është përsosmërish në gjendje të mirëpresë anëtarë të rinj. Vazhdoj të besoj që është kështu. Ne e shohim zgjerimin dhe reformat e brendshme si diskutime paralele dhe më e mira është që t’i ruajmë kështu, paralele. Në të kundërt, do të bëhet i gjithi një proces ku jemi në kërkim të shpirtit si i thonë. Kjo është njëra prej gjërave. Një tjetër gjë është që kemi një mundësi unike përpara nesh dhe kjo është arsyeja pse kam këmbëngulur kaq shumë për pranimin e anëtareve të rinj në fund të mandatit të ardhshëm. Po ta shihni kalendarin, presupozohet që të krijojmë një MFF të re nga 2027. Këtu  e shoh se duhen bërë ndryshime më të mëdha për të qenë në gjendje që të mirëpresim anëtarë të rinj. Pra kur të krijohet kjo MFF e re, duhet të ketë hapësirë për këtë dhe ky është një tregues i ri për të parë nëse BE do të mirëpresë anëtarë të rinj në fund të mandatit tjetër.

 

–  Kjo është një ditë e rëndësishme për popullin shqiptar. Urime! Kryeministër Rama dua të di çfarë hapash do të ndërmerrni për ta përfunduar këtë proces përpara 2030? Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit! Është synimi ynë ta përmbyllim këtë proces brenda kësaj dekade dhe të jemi gati të trokasim në dyert e Këshillit Europian si shtet anëtar dhe kjo sigurisht është shumë ambicioze. Do të kërkojë një volum të jashtëzakonshëm pune. Kemi punuar shumë pranë me Komisionin dhe kemi hartuar së bashku një udhërrëfyes, edhe njëherë, mjaft ambicioz. Kemi një plan dhe po kështu mbështetemi tek miqtë dhe partnerët tanë për të na ndihmuar të arrijmë këtë gjë dhe kur them të na ndihmojnë, kjo është dykahëshe, jo vetëm politikisht, ku për fat të mirë kemi mbështetje mjaft të madhe, por edhe teknikisht ku kemi nevojë për dije, kemi nevojë për mbështetjen e trurit.

 

Duke bërë të gjitha këto jam shumë besimplotë që për sa na takon, ne do të përmbushim të gjitha standardet apo piketat e ndërmjetme. Një koncept që hyri sot në jetën time dhe do të më persekutojë për pjesën tjetër të kësaj dekade derisa do të vijmë këtu dhe me shpresë do të dëgjojmë që kemi përmbushur këto standarde të ndërmjetme dhe pastaj natyrisht ka të bëjë me vendimmarrjen politike, por deri atëherë çfarë është e rëndësishme për ne, është ta bëjmë Shqipërinë një vend anëtar në mënyrën sesi funksion, në mënyrën sesi i bën gjerat, në mënyrën e të qenit dhe kjo është gjeja më e rëndësishme sepse nuk duam që Shqipëria të largohet, të marrë çantat dhe të vijë në Bruksel. Duam që Bashkimi Europian të jetë në Shqipëri. Nëse i keni kushtuar vëmendje asaj çfarë tha komisioneri Varhelyi, ai përmendi diçka që në fakt është motoja jonë. Ai tha: “Në Shqipëri kemi nisur të ndërtojmë Europën” dhe është pikërisht kjo është ajo që duam të përfundojmë, të ndërtojmë Europën në Shqipëri.

– Përgëzime kryeministër Rama për këtë hap të madh. Javën e kaluar në Strasburg kryeministri Viktor Orban u shpreh se pa Serbinë integrimi i Ballkanit Perëndimor nuk është i mundur.

Ministër Szijjártó, si e shihni gjatë presidencës hungareze shanset për të arritur gur të mëtejshëm kilometrik në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor për të çelur disa kapituj të tjerë me ta.

Péter Szijjártó, Ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë: Siç e thashë në fillim, kur vjen fjala për agjendën e presidencës, çështjen e përshpejtimit të zgjerimet të Ballkanit Perëndimor e kemi vënë ne krye të saj dhe kemi disa plane mjaft konkrete. Njëri prej tyre u realizua sot. Ishte një plan dhe objektiv shumë i qartë i yni për të nisur negociatat e mirëfillta me Shqipërinë. Kështu që mund ta shënjojmë këtë kutizë. Pjesërisht sepse besoj që nëqoftëse gjithsecili bën punën e vet në mënyrë të drejtë dhe në mënyrë të duhur atëherë përpara fundit të vitit një tjetër grup kapitujsh mund të hapet me Shqipërinë, që është 6, që ka të bëjë më marrëdhëniet me jashtë dhe është e qartë që praktikisht, pragmatikisht po ta shohësh këtë çështje Shqipëria është gati, ndaj shpresoj që të gjitha detyrat burokratike të Shqipërisë do të bëhen këtu në Bruksel dhe pastaj do të mund të ulemi për një tjetër konferencë ndërqeveritare përpara mbylljes së mandatit të kësaj presidence.

Kemi një objektiv mjaft të qartë dhe kur vjen fjala për Serbinë. Është e qartë që Serbia është e aftë dhe e gatshme të çelë grup kapitujt e tjerë që ka të bëjë me rritjen gjithëpërfshirëse dhe zhvillimin. Po të udhëtoni në Beograd dy herë brenda një muaji mund të shohësh se çfarë nënkupton zhvillimi dhe rritja, pra ata burokratë këtu të cilët janë të shqetësuar nëse Serbia është gati për të çelur kapitujt do t’i këshilloja të udhëtojnë dy herë brenda dy japësh në Beograd dhe të shohin sa gati janë. Kështu që, me këtë objektiv të qartë shpresoj që ato vende anëtare që janë më kritike ndaj Serbisë të mos ngrenë pengesa që të çelim një tjetër konferencë ndërqeveritare me Serbinë dhe do të ishte më e preferueshme që të çelej grupi i kapitujve për rritjen gjithëpërfshirëse dhe zhvillimin. Nëse kjo s’do të ishte e mundur të paktën të kemi një konferencë ndërqeveritare politike për të dëshmuar angazhimin nga të dyja palët për procesit e integrimit të Serbisë.

Kur vjen fjala për Malin e Zi është vendi që ka numrin më të madh të kapitujve të çelur. Janë gati për të mbyllur 4 apo 5 të tyre. kemi një objektiv të qartë këtu, që gjatë mandatit tonë të zhvillojmë një konference tjetër ndërqeveritare me Malin e Zi, në mënyrë që ata të mbyllin ato kapituj ku kanë plotësuar të gjitha piketat apo standardet përfundimtare.

Jemi sigurisht të gatshëm të mbështesim kandidatët e tjerë, Bosnje Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut po kështu. Mendoj që situata ideale do të ishte zhvillimi i konferencave ndërqeveritare me të dyja këto. Por nuk varet vetëm prej nesh, nuk varet vetëm nga presidenca, nuk varet vetëm nga komisioneri, varet nga konsensusi i të 24-ve dhe këtu vjen ai problemi që përmenda, që edhe pse mund të dëgjoni deklarata pro zgjerimit nga shumica e shteteve anëtare publikisht, më besoni që kur ulemi bashkë, disa prej tyre ngrenë kritika, ngrenë pengesa e kështu me radhë në vend që të mbështesin procesin. Këto janë planet tona të qarta për dy muajt e gjysmë të mbetur të presidencës tonë.

– Dua t’ju pyes, ç’lloj vështirësish prisni zoti Szijjártó gjatë procesit dhe si duhet të ndryshojë politika e zgjerimit të BE?

Komisioner Varhelyi ju përmendët që në prill Bashkimi Europian krijoi një instrument 6 milionë euro për të përshpejtuar integrimin e Ballkanit Perëndimor. Si ka ecur ky instrument? A ka rezultate të dukshme?

Dhe për kryeministrin, si e kanë marrë këtë nismë vendet pjesëmarrëse?

Péter Szijjártó, Ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë: Nuk kemi qenë, në fakt ne jemi bërë anëtarë të BE-së jo shumë kohë më parë, kësisoj nuk i harrojmë kompleksitetin dhe nivelin e sfidave të themi. Nuk i harrojmë ato. Na kujtohen në mënyrë shumë të gjallë kur vjen fjala për procesin që ishte shumë i gjatë, shumë i ndërlikuar dhe shumë kompleks dhe e dimë që përvoja ka rëndësi këtu, kësisoj jemi të sigurt për faktin që ky do të jetë një proces kërkues për Shqipërinë. Maksimumi që mund të bëjmë, është të ndajmë përvojën tonë, ashtu siç kemi bërë me Moldavinë, siç kemi rënë dakord me Bosnjë Hercegovinën dhe tashme dhe me Shqipërinë për procesin e trajnimit nga akademia jonë për administratën publike. 50 prej tyre do të marrin pjesë në Shqipëri për të marrë njohuritë, ekspertizën dhe përvojën e nevojshme për mënyrën sesi të ecet përpara me procedurat e anëtarësimit. Ne do të jemi këtu të pranishëm edhe përtej presidencës për t’i ndihmuar gjatë gjithë procesit.

Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi: Sa i takon Planit të Rritjes. Plani i Rritjes u miratua këtë vit dhe funksionon në dy mënyra.

Së pari, ofron investime shtesë në të gjitha fushat ku na duhen investime të konsiderueshme për të zbatuar të gjitha reformat e nevojshme për tu bërë anëtarë të BE. Janë 6 miliard euro fonde që janë caktuar për këtë Plan, por që të funksionojë na duhet që nga vendet kandidate të marrim, që do të thotë na duhet të kemi një agjendë reformash për secilin prej tyre e cila ofron një skicë të asaj çfarë ata do të bëjnë deri në fund të kësaj periudhe financiare, në thelb deri në fund të 2027.

Ky është një program i cili do të realizojë të njëjtin efekt, rezultat sa një program me një cikël normal, por gjysma e një kuadri shumë vjetor financiar, flasim për 3 vjet e gjysmë. Për rrjedhojë agjenda e reformave do të jetë kyçe. Kjo është ajo për të cilën kemi rënë dakord deri më tani me partnerët tanë, mungon vetëm Bosnja Hercegovina. Këto agjenda reformash janë miratuar nga Këshilli javën e kaluar, kështu që në thelb parashikojmë që pagesat e para të lëvrohen brenda këtij muaji. Ky është plani. Kjo nënkupton edhe që koha në fakt po ecën që vendet të vazhdojnë me reformat në mënyrë që ne të lëvrojmë edhe pagesa të mëtejshme.

Në fund të këtij kuadri shumë vjeçar financiar, ky plan që mobilizon një vlerë sa 1/3 e PBB-së të gjithë rajonit, do të sigurojë apo ne do të kemi një intensitet ndihme që përkon me atë të kuadrit të kohezionit për shtetet anëtare, që do të thotë 90% të ndihmës që marrin ata për frymë, do ta marri edhe Ballkani Perëndimor. Kjo nënkupton që pas kësaj, nuk do të ketë asnjë justifikim pos të qenit gati për tu bërë anëtarë të Bashkimit Europian. Jo vetëm jemi në drejtimin e duhur, por kemi bërë një hap të madh përpara dhe shpresoj që të vazhdojë. Me Planin e Rritjes do të përshpejtojmë të gjitha ato reforma që janë të nevojshme për tu bërë anëtarë.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit shumë! Më lini t’ju them se kur hyra në këto korridore, një dekadë më parë, ju betohem flokët e mi kishin shumë më tepër ngjyra. 10 vjet kanë qenë një rrugë e gjatë dhe kur mendoj që gjatë këtyre 10 viteve Shqipëria ka dyfishuar PBB-në e saj, thuajse ka tre fishuar pagën e vetë minimale, ka dyfishuar pagën mesatare në sektorin publik, ka ulur borxhin nën 60%, ka rritur investimet e huaja direkte, është shndërruar në destinacionin më në modë e më intensiv të turizmit në Europë, që ka patur rritjen më të madhe të udhëtimit në aeroporte, duke kaluar nga një shifër e ulur prej 1 milion turistësh në vit, më shumë për të qëndruar te shqiptarët nga vendet përreth, në më shumë sesa 10 milion tanimë. E kur shoh që në procesin e integrimit kemi ndryshuar kaq shumë gjëra së bashku me komisionerin Varhelyi dhe komisioneren von der Leyen, sepse hyjmë në një dinamikë të re dialogu e mirëkuptimi me njëri-tjetrin që nuk mund të jetë o gjithçka, o asgjë në fund, por duhet të jetë diçka midis kësaj dhe siç e thashë edhe Putini na ndihmoi, jemi tashmë, kemi shumë gjëra të reja të cilat nuk ishin kështu për vendet e tjera kur u përpoqën të bëheshin anëtarë të Bashkimit Europian. Plani i ri i Rritjes është pjesë e kësaj, nuk është vetëm instrument financiar, sepse gazetarët kudo, edhe në Shqipëri shohin vetëm pjesën financiare, por ka të bëjë edhe me integrimin në tregun e përbashkët europian. Vetëm pagesa, vetëm të qenit pjesë në fund të këtij viti dhe duke nisur nga fillimi i vitit tjetër, që të jemi pjesë e hapësirës së përbashkët të pagesave për të gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë, nënkuptojnë dhjetëra miliona euro të kursyera nga transfertat monetare dhe ky është vetëm një nga shumë gjërat që mund të merren parasysh apo të llogariten. E në fakt, mënyra se si e kemi pritur ne, me shumë inkurajim sepse 5 vjet më parë, këto gjëra dukeshin të pamundura, ndërsa sot janë realitet.

Ashtu siç e përmendi komsioneri Varhelyi, tri herë, tri herë njëra pas tjetrës u poshtëruam. Ishim gati. Komisioni tha që ishim gati dhe pastaj dinamikat, siç e përmendi Peter, brenda dyerve, pas dyerve të mbyllura, ishin të tilla që tri herë ne u poshtëruam, por ajo çfarë s’të vret, të bën më të fortë e ka thënë një filozof gjerman dhe kështu që ne kemi dalë më të fortë nga kjo dhe ja ku jemi sot këtu.

E dimë që rruga përpara është e gjatë, nuk kemi iluzione dhe e dimë që zakonet e vjetra nuk ikin kollaj, kështu që gjërat, rruga mund të shndërrohet sërish në rrugë me pengesa, por për ne nuk ka rrugë tjetër, nuk ka vend tjetër, nuk ka të ardhme tjetër dhe diçka që të gjithë duhet ta kuptojnë. Kur shqiptarët bien në dashuri, nuk i ndal dot kush.

– Së pari mirëmëngjesi dhe urime! Kam tri pyetje. Çdo pyetje për secilin prej folësve. Pyetja e parë për komisionerin Varhelyi. Komisioner, sot BE-ja në fakt ndau, shkëputi Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut. A ka ndonjë shans që këto vende të ribëhen bashkë dhe çfarë do të ndodhë për këtë?

Dhe e dyta për ministrin Szijjártó, ministër çfarë synon të bëjë Hungaria për ta ribashkuar Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut?

Dhe pyetja e tretë për Kryeministrin Rama. Shkëlqesia juaj, ju e keni sulmuar Bullgarinë më shumë se një herë për politikën e saj kundrejt Republikës së Maqedonisë së Veriut. Pasi dy vendet u shkëputën nga njëri-tjetri tashmë, a mendoni sërish që kishit të drejtë për ato sulme?

Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi: Faleminderit shumë! Duket se kjo është e vetmja pyetje për të cilën jeni të interesuar, edhe pse nuk ka të bëjë me konferencë ndërqeveritare të Shqipërisë sot. Megjithatë jam i lumtur t’iu përgjigjem. Më lini t’iu korrigjoj në përgjigje sepse në qoftë se të dyja vendet ishin bashkë në një farë mënyre, por jo ligjërisht, ligjërisht kurrë, politikisht ndoshta, të dyja vendet e kanë nisur konferencën e parë ndërqeveritare në mënyra dhe në sfera mjaft të ndryshme në 2022. Nuk është e re që Shqipëria po ecën në rrugëtimin e vetë, sepse është proces i bazuar në meritë dhe kjo vlen edhe për Maqedoninë e Veriut.

Bashkimi i vendeve kandidate me njëri-tjetrin do të thoshte që ne të komprometojmë apo të lejojmë që të komprometohen parimet e meritës dhe ky është një nga gur-themelet e kritereve të Copenhagen.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, Péter Szijjártó: Dua të theksoj se Shqipëria e ka merituar të nisë bisedimet thelbësore qysh prej një kohe të gjatë dhe unë besoj që edhe Maqedonia e Veriut do të meritonte, po kështu, të niste bisedimet e mirëfillta thelbësore.

Ne e dimë se cilat janë pengesat dhe ajo çfarë mund t’ju premtoj si president hungarez dhe si një vend pro zgjerimit është se do të vazhdojmë të mbështesim të dyja vendet që ato të mund ta kalojnë procesin e anëtarësimit sa më shpejt të jetë e mundur.

Kryeministri Edi Rama: Miku im, jeni i njohur me këtë rajon fqinjësie dhe e dini që Shqipëria është bërë bashkë me të tjerë me detyrim shumë herë. Na bënë bashkë me osmanët, pastaj me italianët, na bënë pastaj me jugosllavët, na detyruan të bëheshim çift me Stalinin në ish Bashkimin Sovjetik, pastaj me Mao Ce Dun në Kinë. Pra, në të gjitha këto çiftime kuptuam se nuk duam që të bëhemi çift me detyrim, por donim të gjenim lumturinë tonë në të vetmin çift që është Shqipëria dhe Bashkimi Europian. Pastaj çfarë ndodhi? Kjo rrugë u çel dhe krejt befas e gjetëm veten tonë të bashkuar me Maqedoninë. Më lejoni të them se nuk ishte kaq keq sepse mundëm të ndanim situatat tona të zymta me njëri-tjetrin, dukeshim pak si Vladimir dhe Estragoni në pritje të Godo-së dhe asokohe Brukseli dukej fiks një imitim i Samuel Beckett, por nuk mendoj se kjo ishte diçka që ju apo ne duhet ta shihnim apo duhet ta shohim si një histori  të pafundme. Më duhet të them që ndihemi vërtetë të trishtë, e them me sinqeritet këtë gjë që vëllezërit tanë të Maqedonisë së Veriut ende nuk kanë qenë në gjendje të hyjnë në këtë fazë të procesit, ndërkohë që kanë qenë mes të parëve, në mos të parët fare, që e kanë nisur procesin.

Ndaj, kur flas për poshtërimet tona, tre herë njëra pas tjetrës, na u refuzua nisja e bisedimeve të anëtarësimit, ndihem njëfarësoj pak në siklet sepse më duhet të mendoj për poshtërimin e Maqedonisë së Veriut. Ajo ndryshoi madje dhe emrin që të mundte ta niste këtë gjë. Kështu që po, i qëndroj gjithçkaje që kam thënë për miqtë tanë bullgarë sepse historia nuk mund të jetë arsye për të ndalur bisedimet e anëtarësimit për asnjë vend.

Pikëpamje të ndryshme se kush ishte nëna e heroit kombëtar dhe me kë bëri dashuri ajo apo cili ishte identiteti biometrik në atë kohë dhe me kë kishin lidhje kur vendosën të bënin dashuri janë tema shumë, shumë interesante për historianët, por nuk mendoj se janë pjesë e gjithçkaje që na lidh për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Kjo vazhdon të jetë e vlefshme. Nuk është sulm kundër miqve tanë bullgarë, thjesht po themi diçka të dukshme.

Për ne e për mua, arritja e Bashkimit Europian është të mësosh ta shohësh rrugën e të shkuarës me sytë e të ardhmes dhe jo të ardhmen me sytë e të shkuarës sepse kjo do të sillte ndërlikime.

Së fundmi në radhë dhe jo nga rëndësia dhe e përsëris dhe meqë ra fjala, dje në takimin e Procesit të Berlinit, të gjithë pa përjashtim, deklaruan se bilateralizim, pra vendosja në nivele dypalëshe e procesit të anëtarësimit drejt Bashkimit Europian është diçka e sëmurë, është e sëmurë sepse nëqoftëse e vendos këtë proces mbi baza dypalëshe, vetëm sa i bën dëm një vendi, vetëm sa i bën dëm asaj për të cilën themi se është një  familje vlerash e parimesh.

Procesi i integrimit për ne si Shqipëri e për ne në rajon është diçka që është paksa ndryshe nga ajo çfarë ishte për hungarezët. Komunizmi për hungarezët ishte një aksident mizor në rrugën e një kombi që kishte një shtet, që kishte institucione, botë akademike dhe të gjitha gjërat; jo demokraci, por të gjitha gjërat e tjera për qindra vjet.

Për ne ndërkohë është ndryshe. Ne, në historinë tonë, nuk kemi traditën e institucioneve, nuk kemi në historinë tonë traditën e një shteti që funksionon pavarësisht nga sistemi dhe kishim vetëm 50 vjet shtet komunist krejt i padobishëm për integrimin në Europë dhe disa vite përpjekjesh për bërjen e një shteti përpara kësaj. Kështu që, të na ndalosh të ecim përpara me bisedimet duke vënë përpara, duke sjellë pretendime dypalëshe apo duke na vënë në shërbim të zgjedhjeve në vendet anëtare të Bashkimit Europian është të na ndalësh oksigjenin, të na ndalësh dijet që vijnë nga kjo ndërtesë, nga ky kompleks institucionesh që do të thotë dije sesi të ndërtojmë institucionet, sesi të bëjmë reformat, sesi të sigurohemi që vlerat, parimet, standardet të mishërohen në mënyrën sesi funksionon shteti.

Këtë nuk e mëson dot nga librat, këtë nuk e gjen dot askund. Afganistani dështoi, Iraku dështoi, të gjithë të tjerët jashtë këtij kontinenti që kanë kërkuar të gjejnë demokraci, të lulëzojnë, të ecin janë të destinuar të dështojnë vetëm për një arsye të thjeshtë, nuk kanë bekimin të jenë në këtë kontinent dhe të kenë Bashkimin Europian si burim dijesh e njohurish, si burim i gjithçkaje që të duhet, jo vetëm për të pasur njohuri teorike, por edhe për të ditur praktikisht, për ta bërë vendin gati për të qenë shtet anëtar që do të thotë garanci e lirive individuale, e sundimit të ligjit dhe demokracisë funksionale.

Të parandalosh Maqedoninë dhe pastaj Maqedoninë e Veriut,  shpresoj të mos bëhet Maqedoni e Jugut, që ta bënte këtë, ishte t’i bëje një dëm shumë të madh një kombi, t’i bëje një dëm shumë të madh një populli, t’i bëje një dëm shumë të madh rajonit tonë.

Vazhdoj t’i qëndroj kësaj dhe mund t’i them gjithkujt që kjo nuk është një konfrontim, është fakt. Unë e dua Aleksandrin e Madh, të gjithë e duam Aleksandrin e Madh, por nuk dua t’ia di, nuk dua t’ia di  se ku ka lindur dhe nuk po pretendoj që të marr pjesën time si shqiptar në gjenet e tij sepse kemi shumë shqiptarë që mund të pretendojnë që Napoleoni është shqiptar. Mos doni gjë që të ngremë një problem dypalësh me Francën për këtë, sepse do të kemi pastaj një mosmarrëveshje dypalëshe për Korsikën dhe kjo nuk do të përfundojë kurrë.

Ajnshtajni ishte shqiptar, e dini? Çfarë të bëjmë?

Ju lutem, duhet të tregohemi seriozë dhe gjithmonë vjen momenti, – dhe do ta mbyll këtu, – momenti për të bllokuar. Lërini vendet të rriten, lërini vendet të bëjnë punën e tyre, lërini vendet të mësojnë sesi të ndërtojnë institucione, lërini vendet të zbatojnë gjithçka është e nevojshme për të pasur liritë e individit, sundimin e ligjit dhe demokracinë dhe pastaj kur vjen fjala për t’u bërë anëtare, t’i thuash  “Jo se nuk më pëlqen emri yt”, por të paktën i keni dhënë çdo gjë që të funksionojë si një shtet anëtar i BE-së dhe pastaj thojini “nuk më pëlqen emri”, në rregull, shumë e drejtë,  por jo kur vendet kanë nevojë për njohuritë, jo kur vendet kanë nevojë për ndihmën, jo kur vendet kanë nevojë për mbështetjen sepse pastaj do të keni një vend, ku 20 vjet më parë kishte një komunitet të padiskutueshëm pro perëndim, pro euro-atlantik dhe sot shihni kush është në krye të Maqedonisë, Maqedonisë së Veriut se nuk dua të kem një telefonatë nga kolegu grek që të më thotë  “the Maqedoni”. Jo, jo. Është e Veriut. Faleminderit!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA