Thirrjet e presidentit amerikan Joe Biden që Izraeli të mos godasë objektivat bërthamorë apo ata të naftës së Iranit, duket se nuk kanë rënë në vesh të shurdhër.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i tha administratës amerikane se është i gatshëm të godasë vetëm shënjestra ushtarake, sipas dy zyrtarëve që kanë njohuri mbi çështjen, të njohur me këtë çështje, duke sugjeruar një kundërsulm më të kufizuar që synon parandalimin e një lufte në shkallë të plotë.
Përgjatë këtyre dy javëve që nga rrebeshi i gati 200 raketave balistike që Irani lëshoi drejt shtetit hebre, Lindja e Mesme dhe komuniteti ndërkombëtar kanë pritur me ankth përgjigjen e premtuar shpaguese të Izraelit, mes frikës se lufta e heshtur disa dekadëshe mes dy vendeve, tani mund të shndërrohet në një konlikt frontal ushtarak.
Ky tensionim i ndjeshëm i situatës vjen më pak se një muaj nga zgjedhjet presidenciale në SHBA; Bideni e ka deklaruar publikisht se nuk e përkrah një sulm izraelit ndaj centraleve bërthamore apo objekteve të naftës në Republikën Islamike. Të mërkurën, Biden dhe Netanyahu folën për herë të parë në telefon pas javësh të tëra, sipas një zyrtari amerikan, i cili pohoi vetëm se dy liderët diskutuan mes tyre çështje të ndjeshme.
Në mënyrë të vazhduar zyrtarët izraelitë kanë thënë se do t’i përgjigjen sulmit me raketa të Iranit të 1 tetorit, që u ndërmor si një akt hakmarrje ndaj sulmeve izraelite në Liban dhe Gazë, si dhe vrasjes së një udhëheqësi të lartë të Hezbollahut.
Top Channel