Sueli akuzon Korenë e Veriut: Po përgatiten të shkatërrojnë rrugët kufitare

14/10/2024 13:19

Koreja e Jugut tha se ka vërejtur shenja se Koreja e Veriut po përgatitet të shkatërrojë rrugë në pjesën veriore, që lidhin dy Koretë, e të cilat nuk përdoren më, teksa janë rritur tensionet mes dy shteteve, pas pretendimeve të Koresë së Veriut se Jugu ka fluturuar dronë mbi territorin e saj.

Shkatërrimi i rrugëve do të ishte në linjë me përpjekjet e liderit verikorean, Kim Jong Un, për të shkëputur raportet me Korenë e Jugut dhe për ta çimentuar atë zyrtarisht si armiken kryesore dhe për të hequr dorë nga synimi i kamotshëm i bashkimit paqësor të dy Koreve.

Ushtria e Koresë së Jugut tha më 14 tetor se ka vëzhguar disa aktivitete në Korenë e Veriut që duket se janë përgatitje për shkatërrimin e rrugëve, aktivitete sikurse është instalimi i ekraneve.

“Ata po i instalojnë këto ekrane në rrugë dhe po punojnë pas këtyre ekraneve, duke u përgatitur që të hedhin në ajër këto rrugë”, tha zëdhënësi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë jugkoreane, Lee Sung Joon. Ai tha se shkatërrimi i rrugëve mund të ndodhë edhe të hënën.

Lee tha se ushtria e Koresë së Jugut beson se Veriu po ashtu mund të tentojë të lëshojë një raketë në hapësirë. Një lëshim i tillë është i ndaluar nga Kombet e Bashkuara pasi cilësohet si testim i teknologjisë të raketave me rreze të gjatë veprimi. Lee tha se Koreja e Veriut mund të jetë duke kryer “provokime të vogla” kundër Seulit, por nuk specifikoi se për çfarë provokimesh bëhet fjalë.

Është e paqartë se sa rrugë Koreja e Veriut planifikon të shkatërrojë.

Ky zhvillim vjen teksa Koreja e Veriut së fundi ka akuzuar Jugun se ka nisur dronë për të lëshuar pamflete propaganduese mbi Phenian tri herë gjatë këtij muaji dhe ka kërcënuar se do të përgjigjet me forcë nëse ndodh sërish. Koreja e Jugut ka refuzuar të konfirmojë nëse ka lëshuar dronë, por ka paralajmëruar se do të ndëshkojë ashpër Korenë e Veriut nëse kërcënohet siguria e qytetarëve të saj.

Një ditë më herët, Ministria e Mbrojtjes e Veriut tha se njësitë e artilerisë dhe njësi të tjera të ushtrisë pranë kufirit me Korenë e Jugut janë urdhëruar “të jenë në gatishmëri të lartë për të hapur zjarr”. Një zëdhënës i ushtrisë verikoreane tha se i gjithë territori i Koresë së Jugut “mund të shndërrohet në hi” pas një sulmi të fuqishëm nga Veriu.

Koreja e Veriut vazhdimisht përdor retorikë të tillë, teksa tensionet mes rivalëve janë rritur. Ekspertët kanë thënë se ka pak gjasa që Koreja e Veriut të nisë sulme në shkallë të plotë, pasi ka numër më të vogël të ushtarëve në krahasim me ushtarët që Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara kanë së bashku.

Po ashtu, javën e kaluar Koreja e Veriut tha se do të bllokojë në mënyrë të përhershme kufirin e saj me Jugun dhe do të ndërtojë struktura të mbrojtjes për t’u përballur me “histerinë” e forcave jugkoreane dhe amerikane. Pheniani ka përmendur disa stërvitje ushtarake që ka kryer Koreja e Jugut, por edhe dislokimin e përkohshëm të aseteve të fuqishme të ushtrisë amerikane në Korenë e Jugut.

Zyrtarët jugkoreanë kanë thënë se Veriu veçse ka ndërtuar disa barriera kundërtanke dhe ka përforcuar rrugët në anën verikoreane të kufirit që nga fillimi i këtij viti, me gjasë për të parandaluar që ushtarët dhe qytetarët verikoreanë të dezertojnë në Korenë e Jugut.

Tensionet në Gadishullin Korean janë në pikën më të lartë në vite, teksa Koreja e Veriut po vazhdon të kryejë testime provokuese të raketave dhe Koreja e Jugut dhe SHBA-ja po vazhdojnë të zgjerojnë stërvitjet e tyre ushtarake./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA