Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali mori pjesë në sesionin e 149 të Asamblesë së Unionit Ndër-Parlamentar në Gjenevë.
Ajo theksoi se sulmet kibernetike nuk lëkundin qëndrimet e vendosura dhe të qarta të Shqipërisë kundër terrorizmit.
Fjala e plotë e Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, në sesionin plenar të Unionit Ndër-Parlamentar:
I nderuar z. drejtues i seancës,
Të nderuara kolege e kolegë,
Në fillim të fjalës time, dëshiroj të ndaj me këtë Asamble lajmin e mrekullueshëm që nesër, më 15 tetor, në Luksemburg, Shqipëria nis Konferencën e Dytë Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian për çeljen e negociatave të anëtarësimit për Grup Kapitullin e Parë, Themeloret.
Kjo është një arritje e merituar për Shqipërinë dhe për reformat që ka miratuar, duke qenë vendi i parë në grupin e vendeve kandidate që hap negociatat e anëtarësimit, bazuar në metodologjinë e re të anëtarësimit në BE. Parlamenti ynë është i angazhuar fort për të ruajtur lidershipin, për të garantuar legjitimitetin demokratik dhe gjithëpërfshirjen e procesit.
Në këto kohë të trazuara që jetojmë, roli i parlamenteve po bëhet gjithjë e më thelbësor, jo vetëm për fuqizimin e sistemit, institucioneve e vlerave demokratike, por edhe për mbështetjen e zhvillimit ekonomik e shoqëror.
Zhvillimi i çdo vendi po mbështetet gjithnjë e më shumë nga progresi shkencor e teknologjik.
Vitet e fundit po ndodh një zhvillim i vrullshëm i dijeve dhe teknologjive, dukuri e cila po pasohet edhe nga i ashtuajturi “demokratizim” i tyre, pra rritja e aksesit në dije e teknologji, sidomos teknologjitë e informacionit dhe inteligjencën artificiale, të grupeve të mëdha të popullsisë, sidomos rinisë.
Asnjëherë më parë zhvillimi social dhe njerëzor në mbarë botën nuk është ndikuar kaq shumë nga teknologjia siç ndodh sot. Dhe asnjëherë më parë nuk kemi qenë kaq të sfiduar nga një botë e re që ka nevojë të disiplinohet përmes legjislacionit dhe rregulloreve të përshtatshme.
Vitet e fundit Shqipëria ka arritur një përdorim masiv të shërbimeve publike online. Rreth 95% e të gjitha shërbimeve në vend ofrohen tashmë online, duke pakësuar kohën e ndërveprimit, si dhe duke luftuar korrupsionin në dhënien e shërbimeve.
Megjithatë, duhet të kemi në vëmendje zhvillimet asimetrike, sepse ofrimi i shërbimeve online ka ecur më shpejt sesa përgatitja e popullsisë për marrjen e këtyre shërbimeve, veçanërisht në zonat e thella, tek popullsia e moshuar dhe grupet e margjinalizuara, sfidë kjo të cilës po i përgjigjemi me energji.
Sfidat po shtohen edhe për shkak të rrezikut të sulmeve kibernetike, të cilat vijnë si rrjedhojë e qëndrimeve të vendosura e të qarta të Shqipërisë kundër terrorizmit.
Shqipëria i ka përballuar dhe do ti përballojë me sukses këto rreziqe me ndihmën e partnerëve tanë, të cilat na rikujtojnw ashpër se teknologjitë e avancuara mund të përdoren edhe për qëllime të këqia, për të shpërndarë dezinformim dhe gjuhën e urrejtjes, si dhe për të minuar demokracinë.
Ne po punojmë me funksionet legjislative dhe mbikqyrëse, si dhe kornizat rregullatore, për të siguruar që zhvillimet teknologjike dhe inovacioni të përdoren në mënyrë etike dhe të përgjegjshme.
Në prill, Kuvendi i Shqipërisë ngriti Komisionin e Posaçëm për të koordinuar përpjekjet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe forma të tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit. Komisioni do të punojë për kornizën legjislative dhe mbikëqyrëse që mbron publikun dhe sistemin tonë nga këto kërcënime serioze.
Kuvendi i Shqipërisë, krahas mbështetjes së përdorimit të gjerë të teknologjive për ofrimin e shërbimeve publike online, ka nxitur edhe rritjen e njohurive, shprehive dhe aftësimit të popullsisë për përdorimin e tipologjive të reja të shërbimeve.
Kjo jo vetëm e bashkon vendin tonë me tendencat bashkëkohore të përdorimit të shkencës dhe teknologjisë, por edhe rrit efektivitetin, eficiencën dhe dobinë praktike të shërbimeve publike dhe njëkohësisht ndihmon në shmangien e praktikave korruptive.
Gjithashtu, mbështetja e funksioneve, veprimtarive dhe proceseve parlamentare nga progresi shkencor e teknologjik është një imperativë për procesin legjislativ. Këtë mësim të vështirë e morëm gjatë Covid-it, i cili testoi kufinjtë tanë dhe na shtyu të zbatojmë teknologji të reja në proceset parlamentare, si mbledhjet online të komisioneve dhe më gjerë. Deri më sot, mbledhjet e komisioneve të përhershme transmetohen online në kohë reale, duke siguruar transparencë dhe përfshirje të publikut.
Ne po ndjekim disa rrugë për të krijuar sinergji mes proceseve parlamentare, shkencës e teknologjisë, midis të cilave:
Inkorporimi i arritjeve shkencore në procesin legjislativ;
Krijimi i strukturave të posaçme të shërbimeve parlamentare në ndihmë të proceseve parlamentare;
Ndërtimi i një bashkëpunimi institucional me universitetet.
Kontributi i ekspertëve ka qenë rezultativ dhe i dobishëm edhe gjatë legjislacionit të miratuar së fundi nga Kuvendi i Shqipërisë, mbi shërbimet publike online, sigurinë kibernetike, komunikimet elektronike, prodhimin e pajisjeve e teknologjive ushtarake, rregullimet ligjore në sistemin arsimor, sistemin shëndetësor, etj.
Përfshirja e arritjeve shkencore në ligj-bërje dhe kontroll parlamentar shndërrohet në një vlerë të shtuar dhe të mirë publike për vendin.
Mbështetja tek ekspertiza më e mirë, në dijet bashkëkohore dhe risitë teknologjike ndihmon kohezionin legjislativ, ndikimi i tij në zhvillimin e vendit kontribuon në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më demokratike, më gjithëpërfshirëse.
Top Channel