Koreano-veriorë po luftojnë përkrah trupave ruse në Ukrainë, thonë burimet ushtarake (fotot)

12/10/2024 16:39

Xhenierët e Penianit besohet se po ndihmojnë në goditjet e artilerive dhe disa prej tyre kanë mbetur të vrarë pranë Donetsk, shkruajnë mediat.

Xhenierët e ushtrisë së Koresë së Veriut janë dislokuar me ushtrinë ruse frontin e luftës brutale në Ukrainë, thonin sot zyrtarë të Kievit dhe Seulit.

Disa dhjeta prej tyre punojnë në “linjën e dytë” të sulmit me sistemet e raketave KN-23, shkruante The Guardian sipas një burimi ukrainas.

Kim Jong-un ka qenë në Rusi vitin që shkoi për samitin me Vladimir Putin ku besohet se janë nënshkruar akordet e bashkëpunimit në armatime dhe me sa duket trupa ushtarake për frontin e Ukrainës.

Municionet e Penianit kanë ndihmuar edhe më herët në vijimin e gjakderdhjes dhe avancimin e forcave ruse në lindje të Ukrainës, por duket se marrëveshjet kanë përfshirë edhe ushtarë nga vendi i largët komunist.

Ka pasur disa të vdekur koreano-veriorë nga një goditje me raketa ndaj zonave të kontrolluara nga rusët javës që shkoi në Donetsk, sipas zyrtarëve koreano-jugore dhe ukrainas, të cilët nuk mund të përcaktonin nëse ishin xhenierë apo forca sulmi.

Mercenarë të huaj kanë luftuar dhe më parë për Rusinë në Ukrainë, por nëse lajmi është i vërtetë kjo është hera e parë që ushtarë të huaj me uniformë mbeshtesin luftën e Moskës.

Minsitri i jashtëm koreano-jugor Kim Yong-hyun tha në parlamentin e Seulit kësaj jave se “me shumë gjasa” oficerë koreano-veriorë janë dislokuar për të luftuar përkrah rusëve dhe disa prej tyre kanë vdekur në sulme.

Ai nuk dha më shumë detaje.

Andriy Kovalenko, i inteligjencës ushtarake ukrainase, shkruante në një postim në Telegram se disa koerano-veriorë ishin vrarë në Rusi, nga goditja e një depoje armatimi Bryansk, 120 km larg kufirit të Ukrainës, shkruan The Guardian.

“Për Korenë e Veriut, e cila ka furnizuar Rusinë me predha e armatime, kjo është një eksperiencë luftimi, edhe pse ka kostot e saj,” tha analisti koreano-jugor Lim Eul-chul, për rrjetin AFP. “Madje njohja e stilit të luftimit mund të jetë arsyeja kryesore e dërgimit të ushtarëve në luftë”. Nuk dihet nëse Kim Yuong Un kishte llogaritur vdekjen e tyre.

Predhat e raketat koreano-veriore kanë cilësi të dobët dhe pasiguri, por ato gjithsesi ruajnë volumin e zjarrit në luftën brutale ku janë vrarë qindra mijëra njerëz.

Kremlini e quante dje lajmin e trupave koreane në Ukrainë “një tjetër lajm i rremë i mediave perëndimore”.

Moska e Peniani mohojnë këmbimet apo shitjet e armëve edhe pse kanë deklaruar thellimin e lidhjeve javët e fundit.

FOTO GALERI
1/3
Xhenierët e ushtrisë së Koresë së Veriut janë dislokuar me ushtrinë ruse frontin e luftës brutale në Ukrainë, thonin sot zyrtarë të Kievit dhe Seulit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA