Deputetët e mazhorancës kërkuan 10 minuta pushim në mbledhjen e Komisionit Hetimor për Sterilizimin dhe Check Up-in që të njihen me shkresën që kryetarja Albana Vokshi i ka dërguar kryeparlamentares Elisa Spiropali, ku kërkon rikthimin e deputetëve të përjashtuar në këtë komision.
Sipas Vokshit, mbledhjet e Komisionit Hetimor nuk mund të vijojnë pa praninë e pesë deputetëve të opozitës, që u përjashtuan për shkak të incidenteve të disa ditëve më parë në kuvend. Ajo theksoi se janë pikërisht deputetët demokratë që kanë kërkuar ngritjen e këtij komisioni. Aktualisht, nga opozita, të pranishëm në komision janë vetëm Albana Vokshi dhe Petrit Vasili.
Para se të binin dakord për 10 minuta pushim, Vokshi u përfshi në debat me nënkryetarin Plarent Ndreca dhe me Ilir Metajn.
Vokshi: Ti duhet të kërkosh falje për çfarë ke bërë herës tjetër
Metaj: Më lini të përgjigjem
Vokshi: Nuk kam ndërmend të dëgjoj prapë atë… do ta vazhdoni apo do ta ndërpresim për ta shtyrë javës tjetër
Metaj: Jam anëtar, nuk jam ‘atë’
Ndreca: A mund të flasim
Vokshi: E keni bërë këtë komision, sikur është i Surrelit
Metaj: Një orë të tërë ju kemi dëgjuar duke bërë moral. Zbato rregulloren
Vokshi: Unë rregulloren zbatoj, kam hedhur në votë një propozim
Ndreca: Prit një sekond
Vokshi: S’kam çfarë diskutoj, po apo jo
Ndreca: E kam ngritur dorën a mund të flas? Ju bëtë një kërkesë, me aq sa kuptova kërkesa i është bërë kryetares së kuvendit. Mendoj të na japësh 10 minuta kohë ta lexojmë kërkesën, të shohim si lidhet me punën e komisionit dhe të marrim vendimin. E vërteta është se ne kemi pasur mirëkuptim të plotë deri në një moment kur ndryshuar rrethanat partiake
Vokshi: Mos thuaj gjëra që nuk qëndrojnë. Mos bëj dezinformim. Të kam thënë jemi këtu
Ndreca: S’mund të imponosh deputetët
Vokshi: Kërkesa i është drejtuar kryetares së kuvendit, unë kërkoj të presim përgjigjen, ka të bëjë me praninë e deputetëve, dua të mos zhvillohen mbledhje pa u kthyer deputetët e opozitës
Ndreca: Nëse produkti i kërkesës suaj lidhet me punën e komisionit..
Vokshi: Prania e deputetëve lidhet drejt me punën e komisionit
Ndreca: S’mund ta marrim vendimin në terr informativ
Vokshi: Them të presim përgjigjen
Ndreca: Nëse ju mendoni se nuk është e arsyeshme të na jepni minutat që kërkuam
Vokshi: Po nuk ju është drejtuar juve, shkoni te kryetarja. Po rri o Petro rri
Ndreca: A nuk e kupton që je e padurueshme
Petro: Nuk jemi duke ndarë fushat e naftës
Vokshi: Po rri o Petro rri
Ndreca: Megjithatë, nëse vlerëson se nuk na duhen minutat, atëherë unë vlerësoj se nuk ka vend për të pezulluar, se ju jeni 4, se keni dhe 2 zëvendësues
Vokshi: Nuk bëhet me zëvendësues komisioni hetimor, ata janë ku sëmuret ndonjëri. Dua që ato të 5 që janë zgjedhur të jenë këtu! Po apo jo? Unë kërkoj të pritet përgjigja e kryetares
Ndreca: Do na e japësh apo jo mundësinë
Vokshi: Çfarë kërkon? Po mo patjetër, 10 minuta pushim
Top Channel