Deputeti demokrat, Dashnor Sula, përmes një statusi në rrjetet sociale, shprehet se plantacionet me kanabis në vendin tonë janë trefishuar para zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm.
Sula akuzon se Shqipëria është bërë një ndër “partnerët” më të besuar për trafikun e kokainës. Sipas tij, “me paratë e drogës, me bandat që kanë mbrojtje politike më pas deformohet edhe vullneti politik i shqiptarëve”.
Reagimi i plotë i Dashnor Sulës:
Antimafia italiane në raportin e saj për 2024 ka konstatuar se në Shqipëri parcelat e mbjella me kanabis në 2023 u trefishuan në krahasim me një vit më parë. Janë dokumentuar 108.282 bimë kanabis të mbjella në territorin shqiptar kundrejt 49.201 bimëve të kapura një vit më parë.
Përtej propagandës me kaseta të montuara e shpërndarë për mediat, realiteti është se në Shqipëri trafiku i drogës është në lulëzim.
Në këto 12 vite ky është një fenomen që përsëritet. Sa herë ka zgjedhje lokale apo para zgjedhjeve parlamentare, bujqësia “vdes” ndërsa droga lulëzon. Tani në fakt, nuk mjaftojnë vetëm tokat, por me mbrojtje politike po mbushen me kanabis edhe godinat e braktisura shtetërore.
E keqja nuk ka fund në fakt. Trafiku i kanabisit është vetëm një nëndegë e aktivitetit kriminal. Po sipas raportit të Antimafias italiane, Shqipëria është një nga “partnerët” më të besuar edhe për drograt e rënda, për trafikun e kokainës.
Sipas raportit në trafikun e kokainës shqiptarët, menaxhojnë çdo fazë të tij, që nga blerja në vendet e prodhimit, transporti, magazinimi, lëvizja në portet holandeze e belge e deri mbërritja në Itali dhe Europë e më pas tregtimi në tregjet ilegale.
Ndërkohë në Shqipëri gjejnë strehën më të sigurtë për të mos dhënë llogari para ligjit dhe më shumë akoma trajtohen si biznesmenë të suksesshëm.
Me paratë e drogës, me bandat që kanë mbrojtje politike më pas deformohet edhe vullneti politik i shqiptarëve.
Top Channel