Kryetarja e Komisionit Hetimor për Sterilizimin dhe Check Up-in, Albana Vokshi, paraqiti në mbledhje shkresën dërguar kryeparlamentares Elisa Spiropali, ku kërkon marrjen e masave disiplinore për këdo që sipas saj ka penguar punën e komisionit, përfshirë këtu deputetët socialistë, punonjësit e Gardës dhe Sekretariatit që nuk ka lejuar që deputetët e përjashtuar të futen në mbledhje.
Albana Vokshi: Të nisë procedura për marrjen e masave disiplinore për deputetët dhunues verbal Plarent Ndreca, Ilir Metaj, Erion Braçe. Të nisin procedurat për marrjen e masave për sekretarin e përgjithshëm dhe të gjithë administratën që ka penguar hetimin parlamentar. Kemi bërë kërkesë te Sekretariati i Etikës për përjashtimin e deputetëve dhunues në këtë komision. Kemi përgatitur edhe kallëzim penal për këdo që ka penguar hetimin parlamentar dhe funksionimin normal të këtij komisioni hetimor, që nga sekretari i përgjithshëm dhe drejtuesi i Gardës. Sepse nuk ndodh që pesë punonjës të gardës të ushtrojë këtu presion ndaj deputetëve të opozitës dhe të gjithë ata që i ndihmojnë nga ana e administratës. Kërkesa jonë është të presim përgjigjen e kryetares së kuvendit, të kthehen në këtë komision të gjithë deputetët e opozitës, kërkues të ngritjes së komisionit, dhe të vijojë në ligjshmëri ky komision i rrëmbyer nga ana e deputetëve të mazhorancës. Do doja që një herë të vetme të kishit mirëkuptim për kërkesat tona.
Top Channel