Vrasja brenda banesës së tij në fshatin Gjashtë në periferi të Sarandës e Gëzim Bizgjonit 62 vjeç ka tronditur banorët dhe ata që e njihnin viktimën.
Vrasja tashmë është provuar se është kryer nga Admir Beqiri 40 vjeç të cilin viktima e kishte strehuar në shtëpinë e tij familjarisht prej një viti. Admir Beqiri dyshohet se në gjendje të dehur është konfliktuar fillimisht verbalisht me viktimën pasi Gëzimi i ka kërkuar të ulë volumin e muzikës.
Familja Bizgjoni ishte në zi për humbjen e vajzës së tyre 29 vjeç vetëm rreth 20 ditë më parë nga një sëmundje e rëndë. Pasi kërkesa është i injoruar Gëzim Bizgjoni i ka kërkuar 40-vjeçarit të largohet nga banesa e tij. Pas këtij momenti 40-vjeçari e ka goditur bujtësin e tij me shishen e qelqtë të alkoolit që po konsumonte ne fytyrë dhe në kokë. Dëshmitarët në vendngjarje konfirmuan për hetuesit se 62-vjeçari është goditur më tej me grushte dhe shqelma dhe ka humbur jetën prej plagëve të marra. Provat e sulmit agresiv u konfirmuan nga kriminalistët.
Trupi i viktimës është dërguar për ekspertizë të detajuar pranë Institutit të mjekësisë ligjore në Tiranë ndërsa Komisariati i Sarandës njoftoi se Beqiri është tashmë i arrestuar me dy akuza “vrasje me dashje” dhe “dhunë në familje”. Ai njihej si person i dhunshëm dhe konfliktual edhe nga fqinjët. Bashkëjetuesja e tij gjithashtu e strehuar nga familja Bizgjoni është një dëshmitare kyçe në këtë ngjarje. Ajo sipas hetuesve ka qenë prezente në vendngjarje dhe e ka parë të gjithë skenën ndërsa më pas është larguar e frikësuar. Ajo besohet se gjithashtu dhunohej sistematikisht prej 40-vjeçarit.
Mendohet se prej muajsh marrëdhëniet mes dy burrave kanë qenë të vështira. Bizgjoni i kishte kërkuar 40 vjeçarit të linte banesën e tij dhe të gjente një vend tjetër për të jetuar. 40 vjeçari nuk ka pranuar të largohet dhe është parë vazhdimisht nga banorët në gjendje të rënduar prej konsumit të alkoolit. Pritet që edhe persona të tjerë familjarë të të dy palëve të pyeten lidhur me këtë ngjarje.
Top Channel