Gjykata e Posaçme e refuzoi edhe kërkesën e radhës të ish ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu që kërkoi ekspertim të pjesshëm mbi faturën e dëmit ekonomik, e cila i ka kushtuar ish-funksionarit akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Ajo që Mediu dhe avokatët e tij synuan ishte ri përcaktimi i kostove mbi demontimin e municioneve në fabrikën e Poliçanit që sipas llogarive të tyre është e njëjtë me të njëjtin proces kryer në Gërdec.
Por SPAK thotë të kundërtën përmes pesë ekspertëve dhe mbasi dëgjoi përballjen e palëve gjyqtarja Irena Gjoka tha se konkluzionet mbi dëmin ekonomik do bashkohen me provat e tjera. Për Fatmir Mediun mos pranimi i kërkesës është i pabazuar
“Këta ekspertë të famshëm e nxjerrin fitim atë që është humbje. Pa dëm ekonomik nuk ka akuzë për shpërdorim detyre. Po e mbyll këtu, nëse ne paskemi qenë dritë shkurtër siç mendojnë ata të paditur se kush janë fitimet nga demontimi, po partnerët tanë, pse investuan 24 mlna euro dhe u kthyen vetëm, 7 mln euro.
Asnjëherë demontimi nuk ka qenë me fitim, ne i kemi dhënë predha falas, kemi paguar kostot dhe shpenzimet e transportit. Kjo logjikë është absurde. Shkresa e Poliçanit deklaron se nëse do bëhej në Poliçan, do zgjaste rreth 30 vjet, akoma do vazhdonte demontimi. VKM kishte vendosur për demontimin në 2010.
Ka strategji, ka demontim në 2009, këta ekspertët nuk duan t’ja dinë as çfarë ka ndodhur pas e as mbrapa. Edhe njëherë dua ta theksoj, akt ekspertimi i pavlerë. Gjykata është ajo që çmon aktin e ekspertimit, prandaj vazhduam procesin pyetje me pyetje. Nëse kanë interes për të vërtetën, mund ta kishin bërë një akt ekspertimi se nuk duhej as kohë e gjatë.
Akti i ekspertimit ka më pak se 80% të akteve ligjore, e cila ka qenë një praktikë që ka filluar në vitin 2006. Kur ne kërkuam të bëhej akti i ekspertimit nga se kishte ndodhur shpërthimi, prokurori ka thënë këtë e ka vendosur gjykata. Me keqardhje më të madhe, por nuk ishte e lidhur me Ministrinë e Mbrojtjes.”-u shpreh Mediu.
Gërdeci dy me të pandehur ish-Ministrin e Mbrojtjes po shqyrtohet nën praninë e familjes Durda, në një proces ku së fundmi i akuzuari Mediu po vendos në pikëpyetje formimin e ekspertëve. Kurse avokatët deklarojnë se akti i ekspertimit është me të meta
Top Channel