Kryeministrat e republikës Çeke dhe të Polonisë thanë sot se Bashkimi Evropian duhet të bëjë më shumë për të ndaluar emigracionin e paligjshëm, por dënuan rinisjen e kontrolleve kufitare mes disa vendeve të bllokut me 27 anëtarë.
“Kemi rënë dakord se është e nevojshme të bëhet më shumë,” tha kryeministri çek Petr Fiala gjatë takimit me homologun polak Donald Tusk dhe anëtarë të qeverisë së tij në Pragë.
Fiala tha se reformat në sistemin e azilit në bllok të kaluar ana maj nga vendet e BE janë “të pamjaftueshme” dhe duhet të jenë më rigoroze.
Hungaria e Polonia kanë kundërshtuar më herët detyrimet e caktuara nga BE për pritjen e emigrantëve të paligjshëm apo të paguajnë për kujdesin e tyre. Ato votuan kundër paketës së ligjeve por nuk arritën ta ndalonin. Ndërsa Çekia kishte abstenuar, shkruan rrjeti Associated Press.
“Ne kemi gjithashtu mendim negativ për rinisjen e kontrolleve kufitare brenda kufijve të Bashkimit Evropian’, tha Fiala, çka u mbështet dhe nga Tusk.
“Detyra e BE është të mbrojë kufijtë dhe të minimizojë emigracionin ilegal, por jo të krijojnë kufij të brendshëm apo të kërkojë mekanizma të zhvendosjes së emigrantëve para e prapa nëpër Evropë”, tha Tusk sipas rrjetit Associated Press.
Çështja e emigracionit ilegal ka dominuar parlamentin evropian kësaj vere dhe ka influencuar zgjedhjet e fundit në Gjermani, ku fitoi e djathta ekstreme anti-emigracion.
Kjo bëri që Gjermania të njoftojë kontrolle fizike në kufijtë e saj pas një seri sulmesh ekstremiste nga emigrantë ilegalë ne vend.
Tusk, vendi i të cilit merr presidencën rotacionale të unionit në janar, tha se do të ketë prioritet planet për emigracionin në nivel Evropian.
Ai përmendi presionin në kufirin e Polonisë me Bjellorusinë, duke thënë se fajëson politikat e presidentit Aleksander Lukashenko për angazhimin e mijëra oficerëve e ushtarëve polakë me çështjet e kufirit.
Top Channel