Izraeli zgjeron ofensivën tokësore në Liban, Turqia evakuon shtetasit e saj

08/10/2024 12:37

Izraeli njoftoi se trupat e tij kanë filluar operacionet tokësore në Libanin jugperëndimor – duke zgjeruar kështu ofensivën tokësore të fokusuar deri më tani vetëm në pjesën lindore të kufirit.

Më në veri, sulmet ajrore izraelite në Bejrut vazhduan gjatë natës – teksa IDF këmbëngul se vrau një komandant të lartë të Hezbollahut. Grupi militant nga ana e tij ka vazhduar të lëshojë raketa drejt Izraelit – më shumë se 190 të tilla u regjistruan gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa sirenat gjëmuan mëngjesin e sotëm në veri të shtetit hebre.

Sipas agjencisë Reuters, që kur Hezbollahu nisi të sulmonte Izraelin një vit më parë, në shenjë solidariteti me Hamasin, kanë mbetur të vrarë rreth 2000 libanezë, shumica në javët e fundit. Ushtria izraelite e ka cilësuar operacionin e tij tokësor në Liban si “të lokalizuar, të kufizuar dhe me objektiva të sakta”, por ndërhyrja është zgjeruar që nga nisja, javën e shkuar. Sulmet ajrore izraelite kanë detyruar 1.2 milionë banorë të Libanit që të zhvendosen.

Me situatën e krijuar, Turqia njoftoi se do të evakuojë shtetasit e saj nga Libani përmes transportit detar. MInistria e jashtme turke njoftoi se anijet e marinës turke do t’i marrin turqit të cilët kanë kërkuar të largohen nga Libani. Dy anije, me hapësirë të përgjithshme për rreth 2.000 udhëtarë, pritet të nisen shumë shpejt drejt Bejrutit.

Procesi i evakuimit do të vazhdojë edhe në ditët në vazhdim, nëse është e nevojshme, duke shtuar se anijet që kryejnë evakuimin do të dërgojnë edhe ndihma humanitare për Libanin. Turqia vlerësohet se i ka 14.000 shtetas të regjistruar në konsullatën e vet në Liban. Ndërkohë, sipas Reuters, rreth 2.500 turq kanë aplikuar për t’u larguar nga Libani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA