Rusia ndërmori sulme me dronë gjatë natës në të gjithë Ukrainën, duke vënë në shënjestër kryeqytetin Kiev dhe duke goditur infrastrukturën në portin e Odesës në Detin e Zi, thanë zyrtarët ukrainas të dielën.
Shërbimi Shtetëror i Emergjencave tha se një person u plagos dhe magazina dhe kamionë transporti u dëmtuan në Odesa gjatë goditjeve të njëpasnjëshme që mbajtën një pjesë të madhe të vendit për disa orë nën alarm nga sulmet ajrore.
Ushtria ukrainase rrëzoi 56 nga të paktën 87 dronë të lëshuar nga Rusia mbi rajone të ndryshme të vendit, thanë forcat ajrore duke shtuar se 25 të tjerë ishin “zhdukur” për shkak të bllokimit të sinjaleve elektronike, por nuk dhanë detaje.
Administratori ushtarak i qytetit të Kievit, Serhiy Popko tha se mbrojtja ajrore shkatërroi të gjithë dronët që kishin në shënjestër kryeqytetin. Nuk pati raportime për të lënduar.
Paralajmërimet për sulme ajror për Kievin dhe rajonin përreth u bënë tre herë gjatë natës, në një kohëzgjatje prej më shumë se pesë orësh, shtoi ai. Reuters nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur njoftimet. Rusia ka mohuar se vë në shënjestër civilët në sulmin e saj frontal ndaj Ukrainës, që filloi në shkurt 2022, por lëshon rregullisht raketa, dronë dhe bomba në qendrat e popullsisë në thellësi të vijës së frontit./VOA
Top Channel