Politika e Shteteve të Bashkuara për Kinën përgjithësisht nuk ka ndryshuar nga administrata e ish-Presidentit Donald Trump tek ajo e Presidentit Joe Biden.
Të dy e kanë konsideruar Kinën si konkurenten më të madhe të Amerikës. Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Elizabeth Lee, dy kandidatët e tanishëm, Harris dhe Trump kanë përqasje disi të ndryshme për marrëdhëniet me Kinën.
Megjithëse kanë përplasje për një seri tematikash, kandidatja demokrate Kamala Harris dhe kandidati republikan Donald Trump janë dakort për një çështje: për rrezikun nga Kina. Robert O’Brien shërbeu si këshilltar i sigurisë kombëtare gjatë administratës së ish-Presidentit Trump.
“Mendoj se rreziku që kemi nga Kina është shumë më serioz se nga Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë”, thotë zoti O’Brien.
Zoti O’Brien thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të përballen me Kinën duke demonstruar forcë.
“Nuk është vetëm fuqia ushtarake. Është fuqia ekonomike. Fuqia diplomatike. Është fuqia e butë dhe ajo kulturore. Kjo i tremb këta kundërshtarë”, tha zoti O’Brien.
Në aspektin ekonomik, administratat e ish-Presidentit Trump dhe ajo e Presidentit Biden kanë përdorur tarifat për t’iu kundërvënë praktikave kineze të mbingopjes së tregut me produkte të lira.
“Kina do ju marrë të gjithë biznesin për shkak të makinave elektrike dhe materialeve që kanë. Ne nuk i kemi”, tha ish-Presidenti Trump.
Ai propozon vendosjen e tarifave deri në 60% ndaj importeve kineze. Nënpresidentja Harris flet gjithashtu për konkurencën SHBA-Kinë.
“Do të sigurohem që ta udhëheq botën drejt një të ardhmeje për hapësirën kozmike dhe inteligjencën artificiale. Që ta fitojë garën Amerika, dhe jo Kina”, tha Nënpresidentja Harris.
“Ajo ka mbështetur disa nga kufizimet për tregtinë të administratës Biden. Por nuk është shumë në favor të tarifave”, thotë Jeremi Suri, nga Universiteti i Teksasit.
Analistët thonë se ish-Presidenti Trump e shikon çështjen si më praktike.
“Do të jetë ndoshta telefonata ime e parë, me Presidentin Xi. Do t’i them se duhet të zbatojë marrëveshjen për të cilën ranë dakord, që të blejnë 50 miliardë dollarë produkte të fermave amerikane. Dhe ju garantoj se ai do t’i blejë”, tha ish-Presidenti Trump.
Në fushën e politikës së jashtme, zoti O’Brien thotë se është e rëndësishme të ndërtohen aleanca me vendet që kanë perceptime të ngjashme.
“Ishte dikur një kohë kur Amerika mund ta përballonte e vetme. Nuk ja dalim dot më të vetëm”, tha zoti O’Brien.
Një ekspert thotë se ish-Presidenti Trump është shkëputur nga politika e jashtme tradicionale republikane për krijimin e aleancave të forta.
“Trump-i nuk është fare për aleancat dhe më tepër shtron pyetjen se çfarë fitojmë ne?”, thotë Richard Murray, Universiteti i Hjustonit.
Ndërsa po shtohet retorika elektorale për konkurencën kineze dhe rreziqet e sigurisë, disa amerikanë kanë frikën se pasojat mund t’i ndjejnë aziatiko-amerikanët dhe kinezët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, thotë Steven Pei, i cili emigroi nga Tajvani dhe tashmë punon si profesor universiteti në Shtetet e Bashkuara.
“Mendojnë se e gjithë shoqëria amerikane po përballet me një rrezik nga Kina. Kështu që duhet një reagim nga mbarë shoqëria për ta trajtuar këtë rrezik që u vjen nga fabrikat, studentët, studiuesit nga Kina. Do më përfshijnë edhe mua, pasi njerëzit nuk dallojnë dot nëse jam nga Tajvani apo Kina, apo Koreja?”, thotë zoti Pei.
Me retorikën e ashpër të ish-Presidentit Trump, disa aziatiko-amerikanë shqetësohen për ndjesinë në rritje anti-kineze, në rast se ai zgjidhet president. Por aziatiko-amerikanët republikanë thonë se shpresojnë që duke qenë sipërmarrës, ai mund të arrijë marrëveshje me Kinën nga të cilat mund të përfitojnë të gjithë amerikanët./VOA
Top Channel