Mijëra njerëz i bashkohen protestave pro-Palestinës në Londër (fotot)

05/10/2024 17:01

Mijëra njerëz ishin mbledhur sot për marshimin pro-Palestinës në qendër të Londrës, në përvjetorin e parë te sulmeve te 7 tetorit dhe nisjes se ofensivës brutale të Izraelit në Gaza.

Një tjetër protestë madhore po mbahej në kryeqytetin skocez Edinburgh, ndërsa nesër në Londër grupet hebreje mbajnë një memorial në kujtim të sulmeve të 7 tetorit.

Aktivistët pro-Palestinë u mblodhën sot në sheshin qendror Bedford mes një prezence te gjerë të policisë. Organizatorët thanë se protesta kërkon të shënjestrojë kompanitë dhe institucionet “bashkëpunëtore në krimet e Izraelit”, duke përfshirë bankën ‘Barclays’ dhe muzeumin kombëtar ‘British Museum’.

Policia e Londrës tha se protesta hasi në disa grupe kundër-protestuesish ndërsa demonstruesit bllokuan rrugën qendrore Tottenham Court Road duke u mbledhur jashtë një dege të bankës. Barclays ku një pankartë e madhe shkruante: “Turp për ata që mbështesin gjenocidin e grave e fëmijëve në Gaza e në Bregu Perëndimor.”

Të tjerë protestues ishin mbledhur para librarisë kombëtare britanike dhe muzeumit kombëtar duke brohoritur: “Jemen, Jemen” si dhe “British Museum, ngjyrose me të kuqe, më shumë se 100,000 të vdekur.”

Në sheshin qendror Bedford disa protestues mbanin flamurë libanezë e palestinezë dhe brohorisnin: ”Nuk pajtohemi me genocidin”, “Sionizmi është racizëm” dhe “Palestina e lirë”, shkruan rrejti vendas Metro.

Zyrtarët thanë se dy njerëz u arrestuan për sulm ndaj një punonjësi emergjence dhe disa arrestime u bënë kur njerëzit kaluan me forcë një kordon të oficerëve që tentonin të ndanin dy grupe protestuesish, shkruan The Guardian.

FOTO GALERI
1/4
Aktivistët pro-Palestinë u mblodhën sot në sheshin qendror Bedford mes një prezence te gjerë të policisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA