Shkencëtarët duket se zbulojnë sekretin e famës së pikturës ‘Vajza me vath perle’ (fotot)

04/10/2024 19:02

Piktura e Johannes Vermeer “Vajza me vath perle” është një nga më të famshmet në botë, dhe tashmë shkencëtarët thonë se mund të kenë zbuluar arsyen me anë të studimit të trurit të shikuesit të pikturës.

“Rezultatet e marra treguan se kjo pikturë e angazhon shikuesit më gjatë se çdo pikturë tjetër”, thotë Martine Gosselink, kuratorja e galerisë holandeze të Mauritshuis ku shfaqet “Vajza me vath perle”.

“Ti vazhdon ta shikosh, e shikon, dhe e dini arsyen përse? Shikuesi ndjek sytë e saj, gojën dhe më pas perlën. Është një trekëndësh që të bën gjithnjë e më të interesuar te ajo, kjo duket se është ajo që thotë truri i shikuesit dhe shpjegon përse njerëzit janë të mahnitur prej saj”, thotë  Gosselink për rrjetin AFP.

Ndërsa studiuesi i artit Martin de Munnik, tha se ka disa teori për famën e ‘Vajzës me vath perle’.

“Ka disa teori përse vajza është kaq tërheqëse dhe nuk dihet sa të sakta janë ato, por sa herë që ajo shkon në një ekspozitë, vijnë njerëz nga gjithë bota për ta parë”, thotë de Munnik.

Piktura është në koleksionin e muzeumit Mauritshuis në Hagë që prej vitit 1902 dhe ka qenë objekt i shumë analizave letrare apo kinematografike.

Nuk dihet me siguri nëse autori Vermeer kishte krijuar një portret apo një imazh të përgjithshëm misterioz.

Disa spekulime thonë se subjekti është bija e tij e madhe Maria, ndërsa të tjerë thonë se është një figurë biblike.

Punimi është vaj na kanavacë, 44.5 cm i lartë e 39 cm i gjerë, i nënshkruar “IVMeer” por pa datën, e cila llogaritet diku rreth 1665.

FOTO GALERI
1/3
"Rezultatet e marra treguan se kjo pikturë e angazhon shikuesit më gjatë se çdo pikturë tjetër”, thotë Martine Gosselink

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA