Policia e Tiranës ka reaguar në lidhje me pretendimet e bëra nga familjarët e një zonje, e cila u aksidentua në vijat e bardha në Tiranë, më 28 shtator, ndërsa drejtuesi i mjetit u largua nga vendi i ngjarjes.
Sipas familjarëve efektivi i policisë që është marrë me ngjarjen, është korruptuar nga autori dhe nuk është bërë drejtësi.
Sipas bluve të Tiranës, shërbimet e Policisë pas marrjes së njoftimit për aksidentin e ndodhur kanë kryer të gjitha veprimet procedurale dhe materialet i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në gjendje të lirë, për shtetasin Sh. C., 19 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit” parashikuar nga nenet 290 dhe 273 të Kodit Penal.
Gjithashtu, në lidhje me këtë rast është paraqitur në komisariat punonjësi i Policisë që ka trajtuar rastin, i cili ka depozituar kallëzim se ka marrë mesazhe fyese dhe kërcënuese, në numrin e tij.
Top Channel