Frika për zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme sa vjen dhe shtohet.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se ai nuk do të mbështesë një sulm izraelit në vendet që lidhen me programin bërthamor të Teheranit.
“Përgjigja është jo”, ka thënë Biden të mërkurën, kur u pyet nëse do të mbështeste një hakmarrje të tillë pasi Irani lëshoi rreth 180 raketa në Izrael të martën.
Komentet e Bidenit erdhën pasi ai dhe liderët e tjerë të Grupit të Shtatë vendeve të zhvilluara biseduan me telefon të mërkurën për të diskutuar koordinimin e sanksioneve të reja kundër Iranit.
Shtëpia e Bardhë ka thënë në një deklaratë se udhëheqësit e G7-s “dënuan pa mëdyshje sulmin e Iranit kundër Izraelit” dhe Bideni përsëriti “solidaritetin dhe mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara për Izraelin dhe popullin e tij”.
Gjatë gjithë kohës, administrata ka sinjalizuar se po kërkon që Izraeli të tregojë përmbajtje në mënyrën se si i përgjigjet sulmit raketor të së martës, për të cilin Bideni ka thënë se ishte “i paefektshëm dhe i mundur”.
Ndërkaq, Presidenti i Iranit, Massouf Pezeshkian, ka deklaruar se Irani nuk po kërkon luftë. Ai u shpreh se është Izraeli ai që po i detyron të reagojnë. Pezeshkian paralajmëroi se “do të ketë një përgjigje më të fortë” nëse Izraeli hakmerret ndaj sulmeve të së martës
Top Channel