Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se SHBA-ja “kapi disa raketa” që Irani i hodhi në drejtim të Izraelit.
“Ne e dënojmë këtë akt të egër të agresionit nga Irani”, tha ai dhe “i bëjmë thirrje të ndalojë çdo sulm të mëtejshëm”.
Të martën, Irani hodhi disa raketa në drejtim të Izraelit, në shenjë hakmarrjeje për, siç tha, agresionin e Izraelit kundër aleatëve të tij në Liban dhe në Gazë.
Irani paralajmëroi, gjithashtu, se Izraeli do të përballet me “sulme shkatërruese” nëse përgjigjet. Austin tha se SHBA-ja është duke monitoruar nga afër situatën dhe se është në kontakt të vazhdueshëm me aleatët dhe partnerët e saj.
“Jam thellësisht krenar për aftësinë dhe guximin e trupave amerikane, që ndihmuan për të shpëtuar jetë nga sulmi i Iranit dhe që vazhdojnë ta mbështesin mbrojtjen e Izraelit”, tha Austin.
Ai bëri të ditur se ka biseduar edhe me homologun izraelit, Yoav Gallant, përmes telefonit.
“Ministri dhe unë shprehëm mirënjohje të ndërsjellë për mbrojtjen e koordinuar të Izraelit kundër gati 200 raketave balistike të lëshuara nga Irani dhe u zotuam se do të mbetemi në kontakt të ngushtë”, tha Austin.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se “Irani bëri gabim” me sulmin dhe se “do të paguajë” për të.
Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian përsëritën thirrjet për armëpushim, ndërsa Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të mblidhet sot për të diskutuar për këtë çështje./ rel
Top Channel