“Kufizon të drejtat e njeriut”, presidentja gjeorgjiane refuzon ta nënshkruajë ligjin kundër LGBT-së

02/10/2024 16:16

Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, nuk ka pranuar ta nënshkruajë një projektligj të miratuar nga Parlamenti muajin e kaluar, për të cilin grupet për të drejtat e njeriut dhe shumë politikanë opozitarë thonë se kufizon dukshëm të drejtat e komunitetit LGBT në Gjeorgji.

I ashtuquajturi Projektligji i “vlerave familjare” kaloi në Parlament pas trysnisë nga partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, më 17 shtator, me 84 vota për dhe asnjë kundër. Votimi u bojkotua nga opozita, ndërsa kundër tij u mbajtën protesta para ndërtesës së Parlamentit.

Në përputhje me provizionet e Kushtetutës së Gjeorgjisë, Zurabishvili nuk pranoi ta mbështesë projektligjin dhe e ktheu atë në Parlament pa komente të shkruara, tha të mërkurën për Radion Evropa e Lirë Presidenca gjeorgjiane.

Vendimi i saj vë në pah peizazhin tejet të polarizuar politik në vendin e Kaukazit në prag të zgjedhjeve nacionale më 26 tetor.

Tani, kryetari i Parlamentit Shalva Papuashvili, mbështetës i projektligjit dhe anëtar i partisë në pushtet, pritet ta nënshkruajë projektligjin për ta bërë ligj, si dhe ta publikojë atë brenda ditësh.

Pakoja e ndryshimeve ligjore, titulli i plotë i të cilit është “Për Vlerat Familjare dhe Mbrojtjen e të Miturve”, sjell ndryshime në 18 ligje të tanishme, përfshirë në legjislacionin për lirinë e shprehjes dhe fjalës, si dhe të transmetimit.

Ai mundëson ndalimin e tubimeve të cilat promovojnë të drejtën që një person të identifikohet si gjini tjetër përpos “gjinisë së tij apo saj biologjike”. Ai ndalon gjithashtu tubimet që avokojnë lidhjet mes personave të së njëjtës gjini apo të të njëjtit orientim seksual.

Opozita i ka bojkotuar seancat parlamentare prej majit, kur ligjvënësit e Ëndrrës Gjeorgjiane e miratuan projektligjin për “agjentët e huaj”. Qeveritë perëndimore dhe shumë gjeorgjianë e cilësuan këtë projektigjt si të ngjashëm me një ligj rus, të cilin e përdor Kremlini për t’i luftuar zërat kritikë dhe kundërshtues.

Ligji kërkon që organizatat mediale dhe ato të shoqërisë civile që marrin mbi 20 për qind të fondeve të tyre nga jashtë, t’iu nënshtrohen mbikëqyrjes dhe mund të përballen me sanksione për krime penale, ende të paspecifikuara.

Zurabishvili përdori veton kundër këtij ligji, por partia në pushtet e rrëzoi atë dhe futi në zbatim ligjin, përkundër protestave disamujore dhe paralajmërimeve nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian se ai ligj do ta shkatërrojë demokracinë në Gjeorgji dhe rrugën e saj drejt anëtarësimin në institucionet perëndimore.

Në prag të zgjedhjeve të 26 tetorit, Ëndrra Gjeorgjiane mbetet partia më popullore në vend, sipas sondazheve. /rel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA