353 milionë lekë abuzim me fondet e rindërtimit/ Lihen në burg 3 zyrtarët e Bashkisë së Rrogozhinës, masë më e butë për dy prej tyre

02/10/2024 08:55

Tre nga pesë zyrtarët e Bashkisë së Rrogozhinës, të akuzuar për një dëm prej mbi 353 milionë lekësh përmes abuzimit me fondet e rindërtimit, do të vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim.

Të arrestuar një ditë më parë, ata dolën këtë të martë para Gjykatës së Durrësit, ku prokurorja e çështjes Mediana Meta kërkoi fillimisht vazhdimin e masës së sigurisë arrest në burg për të pestë.

Po, për shkak të rrethanave të veçanta të dy zyrtareve, njëra nënë e një fëmije nën 1 vjeç dhe tjetra me prindër në kujdestari, përveç avokatëve mbrojtës edhe ajo kërkoi masa sigurie më të buta.

Gjykata vendosi që Xhemile Uku, përgjegjëse e zyrës së rinisë dhe sporteve në bashki, të qëndrojë në arrest shtëpie, ndërsa për Edlira Ramajn, specialiste e burimeve njerëzore, u vendos masa e detyrimit për paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë shtetit.

Për tre zyrtarët e tjerë të bashkisë, koordinatorin për të drejtën e informimit Besim Ballabani dhe ish-punonjësit Mario Meka dhe Elton Levonja, gjykata konfirmoi masën e arrestit në burg.

Të pestë personat nën hetim dyshohen për shpërdorim detyre, falsifikim dhe mashtrim, në kuadër të një hetimi që zbuloi abuzime në të paktën 78 raste me fondet e rindërtimit.

Hetimi i Prokurorisë së Durrësit nisi pas denoncimeve të banorëve të Rrogozhinës për manipulime gjatë procesit të verifikimit të dëmeve nga tërmeti i vitit 2019. Zyrtarët akuzohen se kanë plotësuar dosje fiktive për shtëpi të dëmtuara nga tërmeti, duke përfshirë në to dhe objekte të padëmtuara, si dhe ato që nuk përdoreshin për banim. Shumë qytetarë të padëmtuar realisht kanë përfituar dëmshpërblim edhe për kasolle ku mbanin lopët dhe derrat.

Krahas zyrtarëve, nën hetim janë edhe 78 persona të tjerë që kanë përfituar nga kjo skemë mashtrimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA