Opozita ka nisur aksionin e premtuar pas dënimit të deputeti Ervin Salianji.
Pas vendimit të Apelit për ta dënuar deputetin me 1 vit burg, opozita tha se nuk do të ketë më qetësi në Kuvend.
Në Komisionin për Çështjet Europiane kryetarja Jorida Tabaku, deputeti Edi Paloka dhe kreu i Grupit Parlamentar të PS, Niko Peleshi janë përplasur me njëri-tjetrin.
Ka qenë deklarata e gjatë e kryetares Tabaku që ka nxitur reagimin e Peleshit, i cili u pasua nga kundër reagimi i deputetit demokrat.
“Fatkeqësisht, në “roadmap”-in e miratuar një javë e pak më parë, kemi parë mungesën e vullnetit politik për një reformë zgjedhore konform këshillave të OSBE-ODIHR. Ky dështim vjen prej vullnetit politik të shumicës që refuzon të pranojë faktet e shprehura në rekomandimet e qarta të OSBE-ODIHR mbi përdorimin e buxhetit dhe qeverisë, si dhe pushtetit për të blerë vota, në shkrirjen e shtetit me pushtetin. Përdorimi i institucioneve shtetërore për të ndikuar në votime dhe zgjedhje, si dhe përdorimi i të dhënave personale të qytetarëve në ndërtimin e një databaze partiake me qëllim përdorimin e tyre në ditën e zgjedhjeve. Ne propozojmë që kjo të ndodhë brenda vitit 2024, ndryshe sa propozon qeveria mbas zgjedhjeve të 2025.
Balanca e pushteteve dhe respektimi i shtetit ligjor janë sot në rrezik. Janë mbi 9 vendime të Gjykatës Kushtetuese që kanë faktuar përpjekjet antikushtetuese dhe antidemokratike, ku shpesh korrupsioni dhe shkeljet ligjore janë mbrojtur përmes forcës së shumicës parlamentare, duke thyer parimin e ndarjes së pushteteve dhe duke injoruar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Fatkeqësisht, akte të tilla shkelin qartësisht kapitujt e sundimit të ligjit dhe provokojnë një krizë kushtetuese të pakuptimtë. Mandatet e deputetëve në Kuvend janë të barabarta dhe nuk mund të trajtohen me standard të dyfishtë.
Për herë të parë Shqipëria ka cenuar shkeljen e MSA me mos respektimin e nenit 79 të tij ku kalojnë ligje me porosi që cenojnë konkurrencën dhe procesi prokurues është ndër më korruptivët në vend. Më lejoni të përmend këtu një listë të gjatë të ligjeve me porosi për të cilat kam njoftuar dhe PE dhe Komisionerin duke nisur nga ai i Investimeve Strategjike dhe duke përfunduar tek ai i Zonave të Mbrojtura.
Ndërsa vendi përgatitet të përfshihet në tregun e përbashkët rajonal dhe më tej atë Europian, raportet e ndryshme mbi klimën e mjedisit të biznesit në Shqipëri flasin se bizneset vazhdojnë të përballen me sfida të lidhura me korrupsionin, mungesën e transparencës dhe problemet që vijnë nga ekonomia informale dhe zbatimi i dobët i kontratave. Gjatë katër viteve të fundit, këto sfida kanë vazhduar të ndikojnë negativisht në mjedisin e biznesit, me investitorët që shpesh citojnë korrupsionin në sektorin publik, gjyqësorin dhe prokurimet publike si pengesa kryesore për investimet dhe zhvillimin ekonomik në vend.
Korrupsioni sistemik ndikon në mënyrë shumë të thellë strukturat e qeverisjes, duke krijuar varësi të ngushta midis politikës, biznesit dhe grupeve të interesit. Kjo formë e korrupsionit përbën një kërcënim të madh për sundimin e ligjit dhe demokracinë, pasi përqendron pushtetin dhe burimet në duart e pak individëve, duke penguar konkurrencën e ndershme dhe qeverisjen e mirë.
Një shtet i korruptuar është produkt i një lidhjeje të ngushtë mes kapjes së institucioneve të qeverisjes nga grupet kriminale. Lidhjet e tyre të forta me njerëz të rëndësishëm në drejtimin e policisë dhe jo vetëm, dëshmojnë një lidhje të fortë mes krimit të organizuar dhe politikës, që shfaqet si në favore penale ashtu edhe në ato përmes tenderave dhe jo vetëm.
Shqipëria përballet me sfida të rëndësishme në lidhje me flukset financiare të paligjshme (IFF), të nxitura nga korrupsioni i përhapur, rritja e organizatave kriminale, evazioni fiskal dhe pastrimi i parave përmes transaksioneve tregtare. Gjatë periudhës 2020-2022, Shqipëria përjetoi dalje të konsiderueshme të flukseve financiare të paligjshme, që përfaqësonin 2.16% të PBB-së, ndërsa flukset e paligjshme hyrëse përbënin 0.84% të PBB-së.
Abuzimi me pushtetin publik për përfitime personale është një faktor kryesor në gjenerimin e IFF-ve, ku praktikat korruptive janë të rrënjosura në shumë sektorë. Këto praktika shpesh përfshijnë transaksione financiare ndërkufitare, duke vështirësuar luftën kundër korrupsionit. Korrupsioni i nivelit të lartë është veçanërisht i përhapur, me figura politike që shpesh përfshihen në veprimtari korruptive, duke përdorur pasuri të patundshme dhe llogari jashtë vendit për pastrimin e fondeve të paligjshme. Efektet ekonomike të këtyre veprimtarive janë të mëdha, me faturime të rreme në eksportet dhe importet shqiptare që arrijnë mesatarisht në 904 milionë dollarë në vit (10 vjecari i fundit), rreth 6% të PBB-së nominale. Këto tregues nënvizojnë nevojën për reformuar kryekëput operacionet qeveritare.
Për këtë arsye është e nevojshme përafrimi i standardeve dhe praktikave më të mira për të bërin biznes e investimet e huaja të BE për të rikthyer tregun dhe konkurueshmërinë.
Pastrimi i parave në Shqipëri është ngushtësisht i lidhur me skema komplekse që përdoren nga kriminelët dhe zyrtarët e korruptuar për të maskuar origjinën e fondeve të paligjshme. Këto skema përfshijnë shpesh një rrjet të ndërlikuar transaksionesh financiare, duke përfshirë përdorimin e kompanive fantazmë, llogarive offshore dhe kontratave të falsifikuara, për të zhvendosur dhe fshehur përfitimet e paligjshme. Sektorët më të ndjeshëm ndaj pastrimit të parave janë pasuritë e patundshme dhe turizmi, ku shpesh integrohen të ardhurat e paligjshme në ekonominë formale. Midis viteve 2017 dhe 2019, rreth 60% e firmave të ndërtimit në Tiranë nuk mund të justifikonin burimet e tyre financiare, me një vlerë të vlerësuar prej 1.6 miliardë euro të pastruara përmes sektorit të ndërtimit gjatë kësaj periudhe.
Sektori i pasurive të patundshme në Shqipëri arriti një nivel rekord të transaksioneve në vitin 2023, me gjithsej 137 miliardë lekë (rreth 1.3 miliardë euro), nxitur nga një bum ndërtimi, veçanërisht në Tiranë. Ky sektor, së bashku me ndërtimin, kontribuoi ndjeshëm në rritjen ekonomike të Shqipërisë, duke përbërë gati 50% të normës së rritjes prej 3.44%. Megjithatë, shqetësimet për pastrimin e parave janë rritur, pasi disa transaksione përfshijnë fonde të paligjshme, duke kontribuar në një rritje prej 41% të çmimeve të pasurive të patundshme në Tiranë nga viti 2021 deri në 2023.
Nxitja e një klime politike pa sulme ndaj opozitës është thelbësore për një demokraci funksionale. Gjatë periudhës zgjedhore, është e rëndësishme të sigurohet trajtimi i drejtë dhe i paanshëm i të gjitha forcave politike. Kjo përfshin garantimin e proceseve transparente dhe të drejta për të gjithë liderët politikë dhe zyrtarët lokalë, duke forcuar kështu institucionet demokratike”, tha Tabaku në nisje të mbledhjes.
“Ta fillosh një mbledhje pa e deklaruar të hapur, pa parë nëse ka kuorum ose nëse s’ka, pa njoftuar se çfarë kemi në diskutim, të shfrytëzosh këtë mikrofon për të bërë deklarata, është shumë politike por nuk është qytetare.
Kjo deklaratë politike do t’ju lutesha qytetarisht të paktën këtu jo, të mos kemi marrje peng të mikrofonit dhe të vazhdojmë me deklarata politike duke injoruar atë që pritet sot nga ne. Ky është një hap shumë i rëndësishëm drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Procedura ishte totalisht e nëpërkëmbur”, tha Peleshi.
Deputeti Paloka tha më pas se vendimi për bojkotin e Komisioneve do të merret në mbledhjen e grupit parlamentar, por sot sipas tij, në mbledhjen e Komisionit për Çështjet Europiane ai dhe Tabaku morën pjesë dhe mbajtën qëndrimin për sa i takon procesit të integrimit.
“Ne nuk qëndruam, bëmë publik qëndrimin e opozitës dhe u larguam”, tha ai.
Top Channel