Burgosja e Salianjit, Paloka zbulon kur do të merret vendimi për raportet me Kuvendin: Nuk mund të mbyllim sytë, kemi qëndrimet tona

30/09/2024 10:30

Deputeti i PD, Edi Paloka, në një deklaratë për media tha se demokratët do të vendosin në mbledhjen e Grupit Parlamentar, që do të zhvillohet në orën 15:00, raportet që do të kenë me Kuvendin, pas burgosjes së Ervin Salianjit.

Deputeti theksoi se opozita nuk do të jetë pjesë e komisioneve sot deri në mbledhjen e grupit, ndërsa njoftoi se në Kuvend do të kërkojnë ngritjen e një komisioni, i cili do të quhet “Komisioni i së vërtetës”, në mënyrë që të zbardhë lidhjen e krimit me politikën.

“Vendimi do të merret në mbledhjen e grupit parlamentar, por sot në mbledhjen e Komisionit për Çështjet Europiane, unë dhe deputetja Tabaku morëm pjesë dhe mbajtëm qëndrimin tonë përsa i takon procesit të integrimit. Ne nuk qëndruam, bëmë publik qëndrimin e opozitës dhe u larguam.

Nuk mund të mbyllim sytë përballë asaj çfarë po ndodh. Mbasi ke vënë në arrest liderin e opozitës, ke burgosur eksponentë të opozitës dhe më thua hajde tani… pa hyrë fare te çështjet korruptive. Çështjet më të zhurmshme më të zëshme si të inceneratorëve, që kjo drejtësi ka mbyllur sytë dhe nuk i sheh. Duhet të mbyllim sytë dhe ne? Sigurisht që jo”, tha deputeti.

A keni mbështetje ndërkombëtare për qëndrimet që do mbani?

“Ne kemi qëndrimet tona, se çdo të thotë a keni mbështetje ndërkombëtare nuk e di. Nëse janë kundër luftës sonë, besoj që nuk jemi në të njëjtën qëndrim. Po nuk besoj se do ketë ndonjë kundër.

Reagimet ndërkombëtare nuk i kontrolloj unë, edhe nga përfaqësia e BE ka reagime, duhet t’i japim vëmendjen e duhur”, u përgjigj Paloka.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA