Muri ndarës i shkatërruar, pamje ekskluzive nga Libani! Fshati i shkretuar, Izraeli godet çdo gjë të mbetur të Hezbollahut

29/09/2024 13:22

Gazetari i Top Channel, Artur Bibe, prej disa ditësh ndodhet në Lindjen e Mesme, në një pikë ndarëse mes Izraelit në Veri dhe Libanit, duke na sjellë pamje ekskluzive se çfarë po ndodh me konfliktin mes dy vendeve.

Aktualisht gazetari ndodhet në një fshat të shkretuar të Libanit, ku çdo gjë duket e shkatërruar nga sulmet izraelite.

Në pamje shihet një pikë vrojtimi e Libanit dhe një pikë vrojtimi e Kombeve të Bashkuara. Pak më larg është një repart ushtrie, i cili mund të jetë përdorur nga Hezbollahu, i shkatërruar.

Askush nuk banon më aty, për shkak se jeta e tyre mund të jetë në rrezik, ndërsa burimet izraelite deklarojnë se në atë zonë ndodhen ushtarë të tyre. “Kudo ka tabela që ndalojnë rreptësisht hyrjen në zonën e kufirit”, thotë gazetari.

Në një video tjetër, shfaqen disa tanke izraelite, të cilat po kthehen nga sulmet që kanë zhvilluar në Liban.

Pak metra nga vija e kufirit me Libanin, në murin ndarës duken të çara, aty ku tanket izraelite kanë hyrë në territor për të sulmuar pozicionet e Hezbollahut. Edhe xhamia në fshatin e Libanit është e goditur.

Herë pas here dëgjohen shpërthime të sulmeve që ushtria izraelite kryen ndaj çdo gjë të mbetur nga Hezbullahu, kësaj here ka sulmuar një depo armësh, thotë Bibe, duke krijuar tym në fshat.

Teksa ecën përgjatë kufirit, gazetari na tregon edhe detaje të tjera, si në foton më poshtë, ku ka gjetur disa fishekë, nga ku rezulton se është gjuajtur me snajper.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA