I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, përcolli vlerësimin e tij për rekomandimet që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë lidhur me mënyrën sesi Prishtina dhe Beogradi duhet ta zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.
Lajcak është takuar në Nju Jork me kryetaren e shtetit të Kosovës për të diskutuar gjendjen aktuale të dialogut. Zyrtari i lartë europian nuk hyri megjithatë në detaje për të treguar se për çfarë rekomandimesh bëhet fjalë me saktësi. Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen Bazë në Bruksel për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe pastaj Aneksin për zbatimin e saj në Ohër në fillim të vitit 2023.
Por që prej atëherë, ujdia ka mbetur e pazabtuar edhe pse Brukseli insiston të tregojë se ajo është praktikisht një detyrim për të dyja palët. Kosova insiston që marrëveshja fillimisht të firmoset nga palët, edhe pse BE-ja thotë se ajo është e detyrueshme pavarësisht nënshkrimit, ndërsa Serbia ka shprehur rezerva për zbatimin e plotë të saj.
Marrëveshja e përbërë prej 11 nenesh, parashikon mes të tjerash një nivel të caktuar vetëmenaxhimi për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, i dikton Serbisë të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e arritura më herët gjatë procesit të dialogut.
Top Channel