Avokati i njohur Spartak Ngjela, duke folur në “Shqipëria live” për dënimin e Ervin Salianjit, me vendim të Gjykatës së Apelit, u shpreh se deputeti duhet t’i drejtohet Gjykatës së Lartë nëse beson se është i pafajshëm.
Ngjela tha se Salinaji bën një vepër tjetër penale nëse ngujohet në selinë e PD dhe nuk i bindet vendimit të Gjykatës së Apelit.
Duke bërë një paralelizëm me dënimin e tij në kohën e komunizmit, Ngjela tha: “Nuk isha i pafajshëm, isha kudër regjimit. Është ligji i shtrembër, nuk ka faj gjykata. Unë nuk jam dakord me ligjin, por jo me ata që më dënuan”. Ndërsa për Salianjin u shpreh se: “Duhet të vejë në Gjykatë të Lartë. Por vendimi hyn në formë të prerë edhe në këto momente. Ka 40 ditë kohë që ta kalojë në Gjykatë të Lartë“.
Duke komentuar propozimin e bërë në Grupin Parlamentar të PD-së për ngujim në seli, Ngjela e konsideroi ide të gabuar. “Nëse nuk dorëzohet, i shtohet një tjetër vepër penale“, tha ai.
Prokuroria e Tiranës i ka dërguar zyrtarisht shkresë Kuvendit të Shqipërisë, ku kërkon ndërprerjen e mandatit të deputetit të PD-së Ervin Salinaji. Kjo vjen një ditë pas vendimit të Gjykatës së Apelit për ta dënuar atë me një vit burg për kallëzim të rremë. Apeli pranoi një kërkesë të avokatëve të Geron Xhafës për të marrë si provë një vendim për pushimin e hetimeve të dhënë nga gjykata e krimeve të rënda për klientin e tyre, por pas tërheqjes për shqyrtim, trupa gjykuese vendosi të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë duke e dënuar me burg.
Top Channel