Kryeministri Edi Rama mbajti fjalën në Selinë e OKB në New York, në një dialog me temë “për të ardhmen digjitale”.
Rama e quajti “një bekim për vendet në zhvillim teknologjinë digjitale me premtimin e saj për një progres eksponencial”.
Duke përmendur të dhënat në Shqipëri, të cilat tregojnë se 95% e shërbimeve ofrohen online, kryeministri theksoi se do të merret për bazë Inteligjenca Artificiale për të bërë të “çuar shpejt përpara negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian”.
“Teknologjia digjitale me premtimin e saj për progres eksponencial është bekim për vendet në zhvillim. Ne në Shqipëri e kemi parë në jetën reale dhe me përpjekjet përkatëse u bëmë një vend ku 95% e shërbimeve sot ofrohen online e ku sportelet dhe radhët e gjata janë tashmë histori e të shkuarës.
Nga ana tjetër, ne po shfrytëzojmë përparësitë e modelit të Inteligjencës Artificiale, për të çuar shpejt përpara negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Gjithashtu po shohim në këtë drejtim edhe për ndërtimin e një modeli të ri plotësisht transparent dhe 95% të bazuar tek IA për prokurimet publike”, tha kryeministri.
Gjithashtu Rama përmendi edhe sulmet kibernetike, me të cilat vendi ynë është përballur, Rama tha se duhet të shmangim efektet e dëmshme, si sulmi nga Irani.
“Nga ana tjetër sigurisht teknologjia digjitale nuk është vetëm një bekim, po edhe një mallkim, si psh sulmet kibernetike. Shqipëria ka qenë viktimë e një sulmi të egër kibernetik nga Irani. Ne e provuam në realitet se sa shumë kjo botë e re e bazuar në teknologji mund të sjellë dëme për vendet dhe për qytetarët.
Por tek e fundit nuk ka aspak dyshim se nëse do të jemi në gjendje të krijojmë një sistem, ku bota dhe komuniteti i kombeve të përfitojnë më të mirën nga premtimet e teknologjisë digjitale dhe në të njëjtën kohë, të frenojnë të gjitha efektet e dëmshme që mund të vijnë nga përdorimi dashakeq i saj, kjo botë do të ishte një vend shumë më i mirë”, u shpreh Rama.
Top Channel