Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër caktoi masën e sigurisë arrest me burg për 38-vjeçarin Lulzim Rakaj.
Avokati Bujar Hoti ka kërkuar masë me të lehtë për klientin e tij por është refuzuar nga gjyqtari Albert Keraj.
38-vjeçari akuzohet për plagosjen e dyfishtë të regjistruar me datën 15 shtator në, fshatin Grizhë të Malësisë së Madhe ndaj Besmir Çofit dhe Avenir Hasanajt. Hasanaj mori një plumb në gjoks dhe ishte në gjendje të rëndë shëndetësore. Pas operacionit në spital kaloi rrezikun për jetën.
Ai deklaroi dy ditë më parë se shkoi t’i takonte personat në fjalë pasi ata i kanë dhunuar nipin, por ka dyshuar se njëri prej tyre ka pasur armë dhe i ka qëlluar.
“Pak ditë më parë dy personat që kam plagosur kanë goditur nipin tim duke e rrahur. Nuk e di se çfarë konflikti kanë pasur por di që më kanë goditur nipin i cili më tregoi për ngjarjen e ndodhur.
Unë shkova për të folur me ta dhe aty nisi debati. Dyshova se njëri prej tyre kishte armë zjarri ndaj duke menduar se mund të më vrisnin qëllova ndaj tyre”, ka deklaruar përpara grupit hetimor shtetasi Lulzim Rakaj, autori i plagosjes së dyfishtë në Malësinë e Madhe.
Top Channel