Zëdhënësja e Anti-korrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, ka reaguar pas vendimit të marrë që Zyra Islamja të jetë kryebashkiakja e komanduar e Tropojës, duke qenë se Rexh Byberi ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
PD ka denoncuar Byberin, i cili sipas saj edhe pse ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, ka kthyer një bar-kafe në ‘zyrë’ ku firmos dokumente të ndryshme.
“Pasi iu komunikua masa e sigurisë ‘arrest shtëpie’, Z. Byberi duke uzurpuar kompetencat e Këshillit Bashkiak si i vetmi organ i cili kryen komandimet në detyrë në rast vakance të kryetarit, Byberi komandoi në detyrën e kryetarit të Bashkisë Tropojë, zëvendëskryetaren, znj. Zyra Islamja.
Qytetarët denoncojnë gjithashtu, se pas vendosjes së masës së sigurisë, Rexh Byberi ka kthyer një bar-kafe në zyrë ku firmos e plotëson shkresa e dokumente.”, tha Vangjeli.
Po kështu, zëdhënësja demokrate kërkon shfuqizimin e vendimit të marrë që Islamja të jetë kryetare e komanduar e Bashkisë së Tropojës.
Vangjeli kërkon që të bëhet emërimi me shumicë votash nga këshilltarët bashkiakë të njërit prej nënkryetarëve që të kryejë detyrat e kryetarit.
Deklarata e zëdhënëses për antikorrupsion në PD, Genta Vangjeli:
Kryetari i Bashkisë Tropojë, Rexh Byberi i denoncuar nga Partia Demokratike, dhe nga emisioni investigiv ‘Piranjat’, për një seri shkeljesh me procedurat e prokurimit dhe jo vetëm, sot ndodhet nën masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’.
Byberi akuzohet për ‘Shpërdorim detyre’ në bashkëpunim, për projekt idenë e ndërtimit të rrugës ‘Stacioni i Anijes Palç- Guri i Lules’, duke sjellë një dëm prej 2.7 milionë euro.
Edhe pse nën masë sigurie, ai vijon pa u shqetësuar me shkeljet e ligjit.
Pasi ju komunikua masa e sigurisë ‘arrest shtëpie’, Z. Byberi duke uzurpuar kompetencat e Këshillit Bashkiak si i vetmi organ i cili kryen komandimet në detyrë në rast vakance të kryetarit, z. Byberi komandoi në detyrën e kryetarit të Bashkisë Tropojë, zëvendëskryetaren, znj. Zyra Islamja.
Qytetarët denoncojnë gjithashtu, se pas vendosjes së masës së sigurisë, Rexh Byberi ka kthyer një bar-kafe në zyrë ku firmos e plotëson shkresa e dokumente.
Partia Demokratike apelon në mënyrë urgjente respektimin e ligjit i cili duhet të jetë i barabartë për të gjithë, prandaj kërkohet menjëherë:
Shfuqizimi i urdhrit të brendshëm të kryetarit nën arrest nr. 292, datë 09.09.2024.
Emërimi me shumicë votash nga këshilltarët bashkiakë të njërit prej nënkryetarëve që të kryejë detyrat e kryetarit;
Organet ligjzbatuese të monitorojnë nga afër respektimin e masës së sigurisë ‘arrest shtëpiak’ nga ky person.
Top Channel