Konkursi ndërkombëtar për ndërtimin e godinave të reja për administratën, Veliaj: Rrit vlerën e pronës dhe prodhon ekonomi

17/09/2024 12:02

Kreu i qeverisë, Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj, morën pjesë sot në një Konkurs Ndërkombëtar, ku 10 studio prestigjioze paraqitën përpara jurisë projekt-idetë për 4 zhvillime të reja, të cilat do t’i hapin rrugë një qasje të re për krijimin e zyrave dhe shërbimeve bashkëkohore për administratën publike. 

“Tirana është sot hapësira ku jeton 40% e popullsisë së Shqipërisë, një hapësirë që prodhon 50% të ekonomisë së vendit. Kjo do të thotë se çdo investim në Tiranë, tamam si ata rrathët koncentrikë, ka fuqinë që të shumohet në të  gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë”, tha Veliaj.

Tirana moderne, sipas Veliajt, jo vetëm që  ka rritur ekonominë e kryeqytetit, por e kanë bërë Tiranën një qytet europian, i cili të ofron çdo shërbim me kushte bashkohore.

“Sot kemi stadiumin kombëtar, Pazarin e Ri, territore që kanë qenë territore të shkreta, por që kanë prodhuar ekonomi, përtej vetëm funksionit bazë të atij projekti. Ndërkohë, një fushatë e mbjelljes së pemëve dhe kujdesit ndaj mjedisit, që ka filluar që në vitet 2000 dhe ajo skuadër që drejtonte Bashkinë e Tiranës u shpërblye para pak javësh, kur Agjencia Evropiane e Mjedisit e cilësoi Tiranën një nga 10 kryeqytetet më të gjelbra. Kjo do të thotë se çdo investim tjetër duam ta shohim në këtë prizëm, se si është i gatshëm për të përballuar ndryshimet klimaterike të së ardhmes, se si e ul kontributin jo vetëm në energji, por edhe gjurmën e karbonit në qytetin tonë”, u shpreh Veliaj.

Çdo investim, automatikisht rrit dhe vlerën e pronës, duke e bërë kështu Tiranën, qytetin që e duan të gjithë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA